Ndonëse kanë një marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin për shkak të mosbindjes civile, Sali Berisha ka kërkuar nga të vetët që të mos shmangin asnjë debat televiziv me socialistët.
Përmes një mesazhi në adresë të drejtuesve të Partisë Demokratike, Berisha kërkon që të shfrytëzohet çdo mundësi për të qenë të pranishëm në debate, konferenca shtypi, prononcime në mediat qendrore dhe lokale, por më parë duhet të njoftojnë zyrën e shtypit për t’u vënë në dijeni çdo të dhënë për çështjen që do të diskutohet.
Kreu i demokratëve fton drejtuesit e opozitës që të mbajnë marrëdhënie më korrekte me gazetarët dhe analistët, por kërkon që asnjë prej drejtuesve të opozitës të mos zhvillojë debat me opozitarët e opozitës.
Sipas Berishës, Kryeministri Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij, kërkojnë të zëvendësojnë në debate deputetët dhe ministrat socialistë të diskretituar dhe mëkatar deri në veshë, me opozitar të opozitës, kryetar pa parti. Lideri historik i demokratëve ua bën të qartë teksa u rikujton në këtë mesazh se në asnjë debat me figura kallpe dhe individë të marrë peng nga regjimi për krimet e tyre nuk duhet të marrin pjesë.
Dhe si në çdo dalje të tij, Berisha kujdeset që t’I kujtojë deputetëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike që të jenë një zë aktiv edhe në rrjetet sociale në betejën kundër atij që e cilëson narkoregjim i Kryeministrit Rama.
Tv Klan