Shqipëria nuk ka përjetuar krizë financiare ekonomike, për shkak të reformave të qeverisë, të cilat kanë bërë që vendi ynë përkundrejt shumë vendeve të Evropës të shënojë rritje ekonomike.
Deklaratat janë të kryeministrit Berisha, gjatë ceremonisë së 10 vjetorit të themelimit të Bankës Emporiki, në Shqipëri, tashmë pjese e grupit të fuqishëm bankar Kredi Agrikol.
Sali Berisha: “Banka Emporiki në një hark kohor të shkurtër ia ka dalë të fitojë dhe të gëzojë reputacionin ndër më të mirën që meriton. Në njëfarë mënyre ishte një pararendëse e dimensioneve të reja gjithnjë më të mëdha të ekonomisë së tregut në përgjithësi dhe të tregut bankar në veçanti. Bankat në Shqipëri dhe ekonomia shqiptare natyrisht ndjeu stuhinë e krizës botërore , por u mbajtën më mirë se në të gjitha vendet e tjera të kontinentit. Dhe kjo, jo për shkak të një politikave centraliste apo të një ekonomie centraliste, përkundrazi të një ekonomie të vërtetë tregu të bazuar në parimet më të shëndosha të tregut. Ndaj dhe kemi një arsye të jemi krenarë të gjithë së bashku për situatën e financave e bankave dhe ekonomisë shqiptare.”
Ardian Fullani : “Sistemi bankar shqiptar ishte i konsoliduar dhe kriza e gjeti të mirë kapitalizuar, likuid dhe me fitim. Kjo erdhi si rezultat i një politike mjaft të kujdesshme të ndjekur nga Bankat e Shqipërisë për sa i përket stabilitetit financiar, për sa i përket politikës monetare dhe njëkohësisht një politike të drejtë të shtetit shqiptar për rritjen e qëndrueshme ekonomike.”
Emporiki bank, si një nga bizneset e para private në vendin tonë nga viti 99 e deri më 2006, ka arritur të mbulojë 90% të territorit të Shqipërisë, duke arritur në 25 mijë depozita dhe një personel prej 236 punonjësish.
Duke evidentuar këtë periudhë krize që tërë bota po jeton sot, drejtori i përgjithshëm i kësaj banke theksoi projektet për rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare.
George Caracostas: “Ndërkohë që vendet fqinje janë duke u përballur me një recesion të thellë, Shqipëria do të ketë një rritje mbi 2 % për periudhën 2009-2010. Parashikohet që deri në vitin 20011 norma e rritjes do të arrijë pikësynimin e saj afatgjatë prej 6 %. Në përputhje me prospektet ekonomike, do të ndërmerret një plan agresiv i zgjerimit me 37 degë deri në 2012 dhe 47 degë deri në 2014.”
Duke kërkuar prej bankës Emporiki mundësinë e shtrirjes së aktivitetit edhe në sektorin e bujqësisë, ku projekti me i madh është ai i 20 milion rrënjëve ullinj, Kryeministri u shpreh i vendosur të bashkëpunojë dhe të garantojë plotësisht kreditë dhe mbështetjen që banka Emporiki po i jep këtij sektori jetik për vendin tonë. /tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani