Pas ndalesës në Krumë, kryeministri Sali Berisha inspektoi punimet ne rrugën Kukës-Dibër, e gjate 70 kilometra dhe me vlere 10 milion dollarë.
Kreu i ekzekutivit e konsideroi këtë aks shumë të rëndësishëm për banorët e zonës dhe lidhjen e saj me unazën rrugore në verilindje te vendit.
Sali Berisha: “Rruga është nga segmentet më të rëndësishme të unazës verilindore dhe juglindore të vendi. Në këtë unazë punohet në të gjitha drejtimet, punohet nga Tropoja drejt Kamit dhe sapo të përfundojë projekti Kam-Golaj do të fillojnë punimet. Punohet tani Krumë-Kukës dhe Kukës-Peshkopi. Së shpejti fillon segmenti tjetër Gjoricë-Studen për të lidhur Peshkopinë me Librazhdin.”
Kryeministri tha se qeveria që drejton do të bëje çdo përpjekje për të luftuar varfërinë, duke zbatuar politika që do të rrisin ndjeshëm punësimin edhe në zonat e thella.
Sali Berisha: “Një gjallëri të paparë do të marrë zona në fillimin e punimeve të hidrocentralit Skavicë. E shihni që ka një perspektivë reale punësimi këtu, ka një perspektive reale ndërtimi më të mirë të jetës dhe të daljes nga varfëria. Qeveria ime e ka kapur dhe do ta kapë me përparësinë më të madhe luftën kundër varfërisë.”
Në Krumë Berisha komentoi dhe deklaratat e Edi Ramës mbi procesin zgjedhor. Kryeministri i cilësoi marrëzi politike që gjithsesi nuk mund të zhbëjnë verdiktin e popullit.
Sali Berisha: “Dua të shpreh realisht një keqardhje, pavarësisht se ai është një kundërshtar, por kur e dëgjoj t’u thotë shqiptarëve çdo ditë marrëzira të padëgjuara 20 vitet e fundit, nuk mund të mos ndjesh në rrafshin njerëzor dhimbje. Një ditë u deklaronte se centralet me qymyr nuk ndërtohen më në Evropë, në një kohë kur, në fakt, kriza energjetike i ka rikthyer ato më fuqishëm se ndonjëherë. Ditën tjetër, ne miratuam detyrën e studimit të zonës Kashar-Vorë-Prezë dhe doli u thoshte shqiptarëve: Dëgjoni! Tirana është 2800 hektarë, kurse në KRRTRSH u miratuan ndërtimet për 3500 hektarë. Dje deklaronte se nuk do të njohë qeverinë, legjitimitetin qeverisë, prapë një marrëzi. Nuk është ai që përcakton legjitimitetin e qeverisë, atë e përcakton sovrani, i cili atij i rezervoi banesën e humbjes, i dha humbjen. Tani po të dojë, të bëjë Hamletin çdo ditë në monologun e tij, ne do të ecin drejt Shqipërisë Evropiane.”
Me herët kryeministri Sali Berisha inauguroi fillimin e punimeve te rrugës qe lidh Shishtavecin me Kukësin, e gjate 24 kilometra e me vlere 4 miliard lekë.
Sipas kreut te qeverise kjo rruge është shume e rëndësishme për te gjithë zonën si për zhvillimin e turizmit, ashtu edhe për zhvillimin e bujqësisë.
Sali Berisha: “Kjo është një nga zonat turistike ose një nga zonat me potencial më të madh turistik në të gjithë qarkun e Kukësit dhe në Shqipëri dhe jam i bindur se kjo rrugë do bëjë që Shishtaveci të shndërrohet në një nga resortet më të mëdha të skive në Shqipëri.”/tvklan.al