Ka marrë vetëm pak dite qe pasuan procesin zgjedhor te 28 Qershorit dhe kryetari i qeverise, Sali Berisha ka nisur sërish turin “Shqipëria po ndryshon”.

Fillimisht ne Shkozet atje ku u inaugurua faza e pare e fillimit te punimeve për “bypassin” e Durrësit, financim i qeverise shqiptare me atë kuvajtiane gjithsej 13 milion euro.

Kryeministri Sali Berisha tha se ky projekt është vetëm një prej projekteve te rëndësishme qe do te realizojnë ne katër vite objektivin për një Shqipëri me infrastrukturën me moderne ne Ballkan.

Sali Berisha: “Së shpejti ne do inaugurojmë Unazën e Durrësit, sepse ne nuk mund të konceptojmë për shkak të dallimeve partiake në pushtet të rrinë duarkryq para nevojave të qytetarëve. Absolutisht, jo, përkundrazi ne do shumëfishojmë përpjekjet tona për të bërë sa më shpejt Durrësin me Unazën që meriton, për të transformuar sa më shpejt infrastrukturën e asaj që dje ishte kënetë dhe sot është një nga qytetet e reja më të bukura të Shqipërisë.”

Punimet parashikojnë ndërtimin e një infrastrukture moderne 5 kilometra të gjatë me katër korsi, trotuarë si dhe e përshkruar nga një brez i gjelbër ndarës duke nisur prej Shkozetit deri tek mbikalimi i Dajlanit.

Po kështu parashikohet ndërtimi i katër rrethrrotullimeve, përfshi edhe rehabilitimin e segmentit urban me gjatësi 2 kilometra, prej mbikalimit të Dajlanit, deri tek kodrat e Rashbullit.

Edhe këtu ndërhyrja do të jetë e plotë.

Rruga do të jetë me katër kalime, do të rikonstruktohen trotuaret, do të pajiset me ndriçim si dhe me brezin e gjelbër që do të përshkojë rrugën në të gjithë gjatësinë e saj./tvklan.al