Shqipëria dhe Kroacia do të heqin vizat deri në fund të vitit 2009, presidenti kroat Stipe Mesic ka dhënë garancitë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të dy vendeve gjatë takimit që zhvilloi në Zagreb me kryeministrin Sali Berisha. Në këtë takim u diskutua edhe mbi çështje të tjera të interesit të përbashkët. Presidenti Mesic e informoi kryeministrin Berisha, se pala kroate po punon për përfundimin e autostradës transadriatike, si një urë lidhëse midis Evropës dhe Ballkanit Perëndimor.
Bashkëpunimi në kuadër të prodhimit të energjisë nukleare, ishte një tjetër temë e prekur në këtë takim. Po kështu kryeministri Berisha e njohu presidentin Mesic edhe me diskutimet që kishte zhvilluar me kryeministrin Sanader, për ecurinë e projektit të gazsjellësit transadriatik. Dy qeveritë kanë plane të përbashkëta për shtrirjen e tij në të gjithë rajonin.
Sali Berisha: “Me një seri takimesh që kam pasur me presidentin e Zvicrës, presidentin e Azerbajxhanit, kryeministrin e Turqisë dhe ministren e jashtme të Greqisë për projektin e gazsjellësit transadriatik. Rezultatet e këtyre bisedimeve kanë qenë qartësisht pozitive, por unë javën që kaloi pata rastin ta ngre këtë çështje në departamentin e shtetit me sekretaren Hillary Clinton, sekretarja Clinton tregoi interes. Ne vendosëm me kryeministrin të punojmë së bashku, të lobojmë së bashku për konkretizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm. Nesër në Tiranë mblidhet bordi i gazsjellësit, do të bisedojmë dhe me mikun tonë Silvio Berlusconi për këtë projekt. Ky është një projekt më eficenti dhe më ekonomiku midis të gjitha projekteve që diskutohen të gazsjellësve që vijnë nga Kaspiku drejt perëndimit. Ne ramë dakord që të punojmë bashkërisht, central nuklear i përbashkët është një avantazh shumë i madh, kam gjet vullnet dhe vendosmëri te kryeministri Sanader, ne kemi 2 vjet që po përpiqemi në këtë drejtim dhe sot jam më optimist se kurrë se kjo do të bëhet realitet me përpjekje të përbashkëta.”
Në këtë frymë bashkëpunimi janë firmosur edhe 4 marrëveshje, 2 prej tyre me rëndësi zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes 2 vendeve, ajo për inkurajimin e mbrojtjes reciproke të investimeve si dhe ajo me mendimin e marrëveshjes së marrëdhënieve dypalëshe ekon0omike. Gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, kryeministri Berisha u prit dhe nga kryetari i parlamentit Luka Bebeic, i cili u sh0preh i impresionuar nga suksesi i reformave dhe progresi i Shqipërisë në këto 4 vite duke thënë se ndiente admirim për to.
Anëtarësimi i plotë i dy vende në NATO ishte një tjetër temë e diskutuar në këtë takim, kryeprlamentari Bebeic shprehu kënaqësinë që ky projekt i përbashkët po përmbyllet me sukses. Në bisedat me zyrtarët e lartë kroat u vu theksi për bashkëpunim të ngushtë politik dhe ekonomik mes dy vendeve./tvklan.al