Partia Demokratike ka deklaruar se do të nisë sërish protestat masive nëse Fatos Nano do të vazhdojë të bllokojë reformën zgjedhore. Lideri i partisë më të madhe opozitare Sali Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp për të denoncuar bllokimin që po i bën, sipas tij, mazhoranca me në krye kryeministrin Nano procesit zgjedhor.

Sali Berisha: “Ndonëse nga të gjitha institucionet më serioze ndërkombëtare, nga Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian, Këshilli i Atlantikut të Veriut, selia e NATO-s në Bruksel, OSBE-ja, vjen një kërkesë e prerë dhe ultimative për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, si kusht për integrim, Fatos Nano ka bllokuar tërësisht procesin e reformës zgjedhore. Çdo ditë ai nxjerr në media zëdhënësit e krimit të tij, ekonomisë së tij kriminale, në të cilët paralajmëron se nuk ka reformë zgjedhore. Sërish mbetet protesta masive një nga alternativat e rikthimit. Shqiptarët do të votojnë të lirë. Askush nuk duhet të imagjinojë më se për pasuritë e pista të Fatos Nanos, për trafiqet e tij të drogës, për rryshfetet e tij, për megarryshfetet e tij, shqiptarët do të sakrifikojnë votën e lirë, do të sakrifikojnë procesin e integrimit.”

Gjatë deklaratës së tij Berisha ka prekur edhe problemin e ndotjes së bregdetit jugor. Sipas tij, ndotja e rreth 50 km të bregdetit jonian është një dëshmi e një shteti të dështuar dhe një fakt se Nano ka marrë përsipër ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash. /tvklan.al