Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas Tiranës, kreu i demokratëve Sali Berisha, ka zgjedhur Beratin për të shpjeguar në bazë, situatën politike, të krijuar pas dështimit të marrëveshjes me mazhorancën dhe idesë së bashkimit të opozitës.

Në 12 vjetorin e themelimit të degës të PD në Berat, zoti Berisha ka deklaruar se Shqipëria, ndodhet në udhëkryq, për faj të keqqeverisjes së socialistëve, korrupsionit dhe lidhjes së qeveritarëve me krimin e organizuar. Janë këto arsyet sipas liderit të opozitës, që PS dhe kryetari i saj, kanë bllokuar reformën për balancimin e institucioneve dhe reformën zgjedhore.

Sali Berisha:- “Që njëlloj si në 90, me atë përkushtim, të ngrihemi edhe njëherë, për të nxjerrë vendin nga kriza dhe udhëkryqi. Ideja se socialistët do të respektojnë vullnetin e shqiptarëve është iluzion. Është në detyrimin tonë madhor, që së bashku me gjithë partitë opozitare, të ndërmarrim lëvizjen më të fuqishme që shqiptarët kanë njohur në histori për të shpëtuar votën e lirë dhe ky është detyrimi ynë më madhor, ky është misioni i PD, ky është misioni i opozitës”.

Shpesh herë fjala e Berishës është ndërprerë nga thirrjet anti-qeveritare të demokratëve beratas, që në bashkëbisedimin me liderin e tyre, kanë përkrahur edhe idenë e bashkimit të opozitës, si mënyra e vetme për rikthimin në pushtet. Përkrah Berishës në takimin e Beratit ka qenë edhe ish-kryetari i kësaj dege, ish-ministri i Brendshëm Agron Musaraji, një nga të mënjanuarit e politikës aktive të demokratëve, që nga rënia e qeverisë Meksi.

Duke folur për bashkimin e opozitës, zoti Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve të lënë mënjanë inatet personale.

Sali Berisha:- “Ne, jeni dëshmitarë të një procesi të nisur kohë më parë. Ne e konsiderojmë bashkimin e opozitës si një detyrim madhor, që rrjedh nga misioni që ka sot opozita. Njëlloj si në PD, ku ne themi që na bashkojmë vlerat që ndajmë edhe me opozitën na bashkojnë vlerat që ndajmë. Unë jam optimist në këtë proces dhe do të bëjë përpjekjet më të mëdha, për një koalicion apo për një bashkim, si të dëshirojnë”.

Në takimin e Beratit, Berisha ka folur edhe për gjendjen e rënduar ekonomike, në vend, që është shkaktuar sipas tij nga monopolet e qeveritarëve dhe shpërdorimi i taksave të shqiptarëve, që lideri i demokratëve i ka llogaritur në 1 miliard në vit. Duke i cilësuar socialistët si pasardhës të PPSH, zoti Berisha ka dënuar veprimin e qeverisë, e cila nuk pranon të dëmshpërblejë ish-të përndjekurit politikë./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço