Franca mbështet proceset integruese të Shqipërisë. Deklarata është bërë nga sekretarja e shtetit për tregtinë e jashtme, Ane Marie Idrac, gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin Berisha.
Duke u ndalur dhe tek investimet franceze në vendin tonë zonja Idrac tha se dyfishimi i tyre ka ardhur si pasojë e klimës së mirë të biznesit që ekziston në Shqipëri falë modernizimit të administratës dhe përparimit të bërë sipas saj në fushën fiskale.
Ane Marie Idrac: “Ne kemi besim tek Shqipëria sidomos në procesin që ajo ka filluar të integrimit evropian, të cilin ne e mbështesim fort. Siç e tha edhe zoti kryeministër, marrëdhëniet tona politike janë shumë të mira. Këtë e dëshmojnë edhe vizitat e dy ministrave francezë në Shqipëri në tre muajt e fundit, ajo e zotit Pierre Lellouche dhe vizita ime, me kërkesë të presidentit Sarkozy.”
Kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e zonjës Idrac si një inkurajim jo vetëm për shtimin e mëtejshëm të investimeve franceze në vend, por dhe fuqizimin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Francës.
Ndërsa garantoi biznesin francez për një klimë shumë të favorshme investimi në Shqipëri zoti Berisha u ndal dhe tek dy sipërmarrjet e mëdha, ajo Sazhem dhe Sosiete Xheneral e së fundmi marrëveshjen me Eurocopter që pritet të ratifikohet nga Parlamenti, e cila synon blerjen e disa helikopterëve.
Sali Berisha: “Konstatoj me kënaqësi se një seri sipërmarrjesh franceze operojnë në Shqipëri ndër të cilat Sazhem, në një nga fushat më të rëndësishme atë të prodhimit të dokumentave ta identitetit më moderne në Evropë për Shqiptarët. Soshete Xheneral është gjithashtu një garanci tjetër e madhe për investitorët francez, por edhe një investitor i mirë në Shqipëri. Këto ditë Shqipëria do të ratifikojë në parlament marrëveshjen me Eurocopter, do të modernizojë flotën e vet të helikopterëve me prodhime të kësaj kompanie.”
Në konferencën e përbashkët për shtyp sekretarja e shtetit të Francës për tregtinë e jashtme Anne Marie Idrac tha gjithashtu se u njoh më nga afër me kryeministrin Berisha lidhur me projekte konkrete për të investuar në fushën e hidroenergjisë dhe atë të infrastrukturës. Gjatë mesditës zonja Idrac u prit dhe nga ministri i ekonomisë dhe energjetikës Dritan Prifti./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro