Presidenti i Partive Popullore Evropiane Wilfried Martens, ka deklaruar mbështetje të plotë për kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Zoti Martens, i cili drejton  dhe grupin më të madh politik në Parlamentin Europian, pas një takimi me kryeministrin Berisha vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe hapat e sigurt të hedhur nga kjo qeveri drejt integrimit në familjen e madhe europiane. Teksa theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhëm e Shqipërisë, ai garantoi mbështetje maksimale edhe në procesin e liberalizimit të vizave me BE-ne.

Wilfried Martens: “Kam ardhur këtu për ta mbështetur atë, në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është  shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të patur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin. Edhe njëherë unë jam i bindur se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së, dhe një nga rezultatet kryesore të kryeministrit Berisha është se ai hapi dhe realizoi perspektivën evropiane dhe antlantiste të Shqipërisë. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s. Shqipëria dhe qeveria e saj mundësuan nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE. Ne do ta mbështesim kryeministrin Berisha dhe qeverinë  e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE”.

Kryeministri Berisha e njohu zotin Martens me programin e Partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme, i cili synon tu ofrojë qytetarëve shqiptarë, standardet, kriteret dhe praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, duke e përgatitur kështu Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sali Berisha: “Unë i shpreha mirënjohjen më të thellë presidentit Martens për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë PD-së që nga themelimi e gjerë sot. E njoha me programin e PD-së për 4 vitet që vijnë, me të cilin ne synojmë tu ofrojmë qytetarëve shqiptarë, standarde, kritere, praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së dhe përgatit Shqipërinë për anëtarësim në bashkimin Evropian”.

Partitë popullore europiane përbejnë shumicën në parlamentin e ri europian. Në zgjedhjet e fillim qershorit, e djathta europiane fitoi në 23 nga 27 vendet e BE-së. Liderët e tyre i shprehen mbështetjen kryeministrit Berisha edhe ne samitin e PPE në Varshave./tvklan.al