E hëna i gjen në sheh demokratët, të cilët nisin pa kthim mosbindjen civile deri në largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Një protestë pa fjalë, ku gjithçka organizatorët ia kanë lënë në dorë qytetarëve, ndaj dhe mesazhin e tij, Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e adresoi për këta të fundit.
“Nuk ju drejtohem si kryetari i Partisë Demokratike. As si lideri i opozitës. Unë sot dua t’iu flas juve, si shqiptari-shqiptarit. Njeriu-njeriut. Thirrja ime sot, është një thirrje për bashkim! O sot o kurrë merrni në dorë fatin tuaj, fatin e votës së lirë, fatin e Shqipërisë. O sot, o kurrë! Është radha jonë.”
Në këtë betejë pa kthim ku në vend të fjalëve, opozita do të flasë nesër me veprim, Sali Berisha shpjegon edhe arsyen se përse qytetarët, studentët, bizneset, studentët, fermerët, pensionistët duhet të jenë nesër bashkë.
“Pa fjalime. Sepse kjo është beteja e gjithë shqiptarëve. Duke filluar nga nesër. Mosbindje civile, pa kthim. Deri në qeveri teknike. Sepse vetëm me qeveri teknike, garantohen zgjedhjet e lira. Vetëm me zgjedhje të lira, rotacioni i vonuar realizohet. Dhe vetëm me rotacion, Shqipëria shpëton!”
Për Sali Berishën, 7 Tetori nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Përmes nisjes së mosbindjes civile, kreu i demokratëve thotë se hapet kapitulli i fundit, i asaj që e cilësoi histori e zezë 11-vjeçare, e Shqipërisë gjatë Qeverisë Rama.
“Na u përgjigjën me vjedhje të flamurit të partisë! Na u përgjigjën me arrestime politike! Na u përgjigjën me burgosje të deputetëve tanë! Dhe sot opozita, pas 3 vitesh paralajmërimi për mosbindje civile, pas 7 protestash kombëtare… ku ka përsëritur në dhjetra fjalime kërkesat e saj, ka marrë vendimin që t’i përgjigjemi deklarateve për luftë ndaj nesh të Edi Ramës, dhëmbë për dhëmbë.”
Demokratët do të synojnë masivitet në protestën e të hënës, duke mos dhënë shumë detaje rreth strategjisë që do të ndjekin. Tubimi, i cili do të nisë në Bulevardin “Dëshmmorët e Kombit” më pas do të shtrihet në disa prej akseve kryesore në vend, duke paralizuar lëvizjen, ndërkohë që objekt i përballjes së demokratëve nuk do jetë vetëm godina e qeverisë.
Tv Klan