Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar me akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Gjatë takimit me grupet e punës për organizmin e fushatës në Tiranë për zgjedhjet e 11 Majit, Berisha tha se ekonomia po vuan dhe paratë e qytetarëve janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Ai ka marrë si shembull biznesin e vëllait të kryebashkiakut Veliajt.
“I vëllai i Erion Veliajt, vitin që i vëllai iu bë kryetar bashkie, bleu me 100 euro një kompani. Sot është me 32 milionë euro. Tendera të fituara që të gjitha në kundërshtim me ligjet. Por ky është vetëm një shembull se si janë shpërndarë këto pasuri.”
Berisha kërkoi angazhim për mosbindjen civile dhe sulm elektoral duke takuar çdo qytetar dhe prezantuar programin e Partisë Demokratike.
“Jemi në realitet shumë të dhimbshëm, shkatërrimtar për njerëzit. Kështu që ne do të trokasim në çdo derë, duke paraqitur paketën tonë të emergjencës, ku vendosim si fillim minimumin jetik 200 euro.Vendosim si fillim rrogën minimale 500 euro. Rrogën mesatare 1200 euro. Pensionet do llogariten mbi 200 eurot. Pra, një transformim, një përmbysje të plotë të shpërndarjes së të ardhurave. A mund të bëhet kjo? 100 %.”
Kryedemokrati tha se “drejt fitores do ecim me një dialog intensiv me shqiptarët për problemet e tyre dhe me një mosbindje civile që do e lemerisë çdo ditë e më shumë Edi Ramën”.
Klan News