Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi këtë të premte të gjithë kryetarët e degëve. Ai u shpreh se zgjedhjet e 11 Majit janë unike, pasi për herë të parë gjysma e elektoratit është jashtë vendit. Për këtë arsye fushata elektorale me shqiptarët jashtë vendit është e një rëndësie të njëjtë me atë brenda vendit, sipas kryedemokratit.
“Tani edhe zgjedhjet i kemi me dy koka ne. Kjo është historia jonë. Por kjo është një arritje e madhe sepse gjysma e shqiptarëve do ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit në një kohë që nuk e ushtronin dhe kjo nuk ndodhte me asnjë komb tjetër veçse me ne. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha që ky proces të jetë transparent, i ndershëm dhe të mos mund të kapet nga Edi Rama dhe banda e tij, e cila pareshtur bën çdo përpjekje për ta kapur, por ne jemi për një proces transparent, një proces i cili përjashton manipulimin dhe garanton numërimin korrekt të asaj vote. Ky proces zhvillohet në Shqipëri dhe jashtë saj. Duhet pranuar se të dy fazat, ajo që zhvillohet në Shqipëri dhe ajo jashtë saj janë të një rëndësie kryesore për këtë proces, natyrisht përcaktuese është puna jonë brenda vendit”, tha ai.
Sipas Berishës, një nga arsyet që do ndikojë më fuqishëm në fitoren e PD-së do të jetë vota e emigrantëve.
“Mos harroni se asgjë s’do ndikojë më fuqishëm në fitore, se sa vota e qindra mijëra opozitarëve që të persekutuar në formë ose një tjetër nga ky regjim kanë marrë rrugët e dheut. Edi Rama dhe regjimi është i diskretituar tashmë”, tha Berisha.
Për këtë arsye, Berisha përcaktoi detyra të qarta për kryetarët e degëve. Ai u shpreh se duhet një grafik emergjent për identifikimin e emigrantëve që votojnë në zgjedhje.
“Unë e di se ju keni filluar punën, por ritmet e kësaj pune duhet me urgjencë të shpejtohen. Një grafik i ri do hartohet nga drejtuesit e qarqeve dhe do u shpërndahet kryetarëve të degëve dhe ju grafikun tuaj. Dua një grafik emergjence sepse vota, votimi i emigracionit pra gjysmës së elektoralit përfundon me datën 12 Mars. Është vendosur një datë afat për regjistrimin e tyre dhe ata që regjistrohen apo ky proces përfundon më 12 Mars. Pas kësaj date, mbyllet procesi për 1 milionë e gjysmë votues. Ata 1 milion e gjysmë votues janë më së pari në listat e votimit. I keni në listat e votimit. I keni pastaj në çdo familje dhe kudo, por listat e votimit janë dokumentet bazë të orientimit tuaj. Rezultatet e deritanishme nuk janë ato që duhet të ishin. Unë e di që është bërë punë dhe po bëhet, por kjo kërkon që çdo degë, çdo drejtues qarku të ngarkojë, të angazhojë forca shtesë për kompletimin sa më parë të këtij procesi. Çdo degë duhet të ketë drejtuesin operativ të këtij procesi që e kontrollon atë çdo ditë. Ju si kryetarë keni këtë detyrë më kryesore”, tha Berisha./tvklan.al