Prej dy ditësh 10 besimtarë të Kishës Ortodokse në Përmet janë futur në grevë uria pasi kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Lartë sipas të cilit kisha duhet të lirojë mjediset e Pallatit të Kulturës, vend ku zhvillon aktivitetin që nga viti 1997.

Sipas besimtarëve me këtë vendim të gjykatës duhet të kthehet për herë të dytë Shtëpi Kulture, duke na rikthyer edhe një herë në vitin 1967.

Grevistët kërkojnë kthimin pa kushte të ndërtesës që ka qenë Pallat Kulture, në një urdhër administrativ të qeverisë, përcaktimin përfundimtar të kufijve të trualit të kishës, siç është njohur nga komisioni i kthimit të pronave, si dhe prishjen e ndërtimeve pa leje në truallin e kishës.

Prifti i kësaj kishe, Ikonom Vasil Thomodhori shprehet:

“Në ’67-ën kisha u sekuestrua nga shteti. Më ‘97-ën shteti na i dha dhe tani në 2003-shin shteti na e merr përsëri. Në një moment që e gjithë bota thotë të kthehen pronat e komiteteve fetare, ne na grabitet për këtë protestojmë”.

Ndërsa kryetari i bashkisë Petrit Bregasi e komenton në këtë mënyrë problemin:

“Me vendimin numër 1640 datë 14.10.2003, vendimi i Gjykatës së Lartë i formës së prerë i është kthyer ky objekt Bashkisë Përmet, qendrës kulturore e cila më pas ka rezultuar dhe me urdhër ekzekutimi dhe përfundimisht kisha duhet të lirojë objektin konform ligjit dhe vendimit të gjykatës. Odiseja, 4-5 vjeçare duhet të marrë fund dhe gjithçka do të shkojë në vendin e vetë”./tvklan.al