Në tregun e lirë të këmbimit vlera e bonove të privatizimit ka rënë në mënyrë drastike këtë fillim jave. Sikundërse dhe pritej, vetëm disa ditë pasi qeveria i hapi rrugën rikthimit tek depozituesit të një sasie prej disa miliarda lekëve në bono privatizimi të bllokuara tek fondi Anglo-Adriatika, konstatohet një zhvlerësim i ndjeshëm i tyre.
Në Tiranë kambistët duken më të çoroditur nga kjo luhatshmëri dhe kanë ngrire përkohësisht tregtimin e bonove. Ndërkohë në rrethe nga rreth 20% që bliheshin bonot e privatizimit javën e kaluar këto ditë kambistët janë tërhequr drejt nivelit 10%, në reflektim të zhvlerësimit të letrave me vlerë në saje të rritjes së ofertës në treg. Në këtë logjike ecin edhe specialistet e ekonomisë. Zef Preçi, thotë se duhet të presim një zhvlerësim të mëtejshëm të bonove të privatizimit.
Zef Preçi: “Akti i fundit i qeverisë për çlirimin e bonove të privatizimit që janë në pronësi të rreth 45 mijë qytetarëve shqiptar mendoj se do të ndikoj në uljen në frenimin e rritjes së mëtejshme dhe në uljen e çmimit të tregtimit të bonove në tregun e lirë. Me i fjalë ajo çka pritet mbas kësaj është që jo të lëviz nga 4 në rreth 20% siç ka lëvizur gjatë 3 muajve të fundit çmimi bonove në treg, por të ketë një ulje të ndjeshme të tij”.
Vlera e bonove të privatizimit në treg njohën një boom në harkun kohor të këtyre tre muajve duke kërcyer nga 5% në fillim të qershorit në 20% javën e kaluar që është edhe vlera më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Kjo u nxit nga deklaratat e kryeministrit dhe më pas miratimit të projektligjit për futjen e letrave me vlerë në procesin e legalizimit të banesave. Por edhe në këtë pike Preçi thotë se ka një ngërç ligjor, që mund të ndikonte në vlerësimin e bonove të privatizimit, mbase duke u kthyer në nivelet e disa muajve më parë.
Zef Preçi: “Përdorimi i tyre në procesin e legalizimit mendoj se është i diskutueshëm juridikisht mbasi ky instrument i tregut të kapitaleve ka qenë shpikur për të mbartur pronësinë shtetërore në pronësi private dhe jo nga pronësi private përsëri në pronësi private siç legalizimi”.
Aktualisht tregu i bonove të privatizimit është mjaft i ndjeshëm dhe i tille mendohet të jete derisa secili nga dy projektligjet që lidhen me bonot e privatizimit të kthehet në ligj nga parlamenti i ri dhe më pas të zbatohet./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro