Në Gjykatën e Posaçme nisi gjykimi në themel ndaj dosjes “Metamorfoza”, ku i përfshirë është edhe sipërmarrësi Pëllumb Gjoka.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se gjykimi nisi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i shpalli të ligjshme për t’u përdorur si prova bisedat në aplikacionin e koduar “Sky ECC”.

I pranishëm në seancën e parë nuk ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili mbrohet nga avokatët Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari.

Këta të fundit kërkuan shtyrjen e seancës në afatin maksimal me qëllim që të pritet zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Edhe avokati ish-punonjësit të policisë Ardit Hasanbegaj, i cili ka dalë i implikuar në veprimtari kriminale sipas komunikimeve në Sky ECC, kërkoi shtyrjen e seancës në mënyrë që të komunikonte me klientin për të diskutuar mbrojtjen e tij.

I pranishëm në seancë ishte dhe prokurori dhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.

Seanca e radhës u caktua më datë 21 Janar.

/tvklan.al