Në mesin e akuzave politike mes qeverisë dhe Partisë Socialiste në lidhje me taksat vendore, përfaqësues të biznesit pohojnë se bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm këto taksa për këtë vit. Krahas kësaj biznesi konstaton se i janë shtuar edhe taksa të reja siç është ajo e reklamës. Sadik Malaj, kryetar i Unionit të Operatoreve Turistike thotë se bashkia nga njëra anë hap zyra turistike, ndërsa nga ana tjetër i rrënon këto biznese me anën e taksave.

Sadik Malaj: “Agjencitë turistike e kanë problem sepse taksa e pastrimit është rrit 20% krahasim me vitin e kaluar, ndërsa është shtuar një taksë e re e cila quhet taksë e reklamës, krahas asaj taks tabelës. Zyra turistike tash është një zyrë promocionale por po flasim krahas gjithë lëvizjes që flitet për prioritete apo për lëvizje turistike praktikisht ne sistemin e taksave, biznesi i vogël i agjencive turistike goditet”.

Edhe shoqata e konfeksioneve vazhdon të ngrejë zërin ndaj rritjeve abuzive të takave vendore të cilat po i detyrojnë këto biznese të shkurtojnë vendet e punës.

Edmond Rusmali: “Po të rritësh një taksë vendore me 400% nga viti 2007 në vitin 2009 apo t’i rrisësh 40% nga viti 2008 në vitin 2009 do të thotë që është një rritje goxha e madhe. Janë të ndjeshme sepse jemi sektor që punojmë me mall porosi dhe nuk operojmë dot me çmimet tona në treg”.

Ndërsa biznese të tjera tregojnë konfuzionin në lidhje me taksat vendore, por pohojnë se pavarësisht rritjes nuk kanë rrugë tjetër veçse pagimin e tyre.

“Kemi bërë deklarimet tona sipas xhiros që kemi dhe akoma s’kanë ardh, s’kanë dal akoma të shohim se si. Këto kanë një afat deri në datën 20, akoma nuk kanë dal. Po do i paguash se s’bën s’kemi nga t’ja mbajmë”./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro