Shqiptaret këtë vere duket se po preferojnë më shumë bregdetin tonë sesa shtegtimet drejt vendeve të tjera.

Operatorët turistikë konstatojnë këtë sezon veror një rënie të flukseve turistike të pushuesve jashtë vendit, si me fluturime charter ashtu edhe drejt destinacioneve të afërta.

Rënia përllogaritet deri në 20 % krahasuar me verën e kaluar dhe si shkak mendohet të jenë efektet post zgjedhore.

Sadik Malaj: “Me periudhën korrik-gusht në llogaritim që kategoria kryesore turistike janë punonjësit e institucioneve buxhetore shtetërore. Duke qenë që procesi post-zgjedhor edhe po zgjatet, por në një farë mënyre edhe thirrje nga institucionet shtetërore është që këto institucione të punojnë me ngarkesën e tyre të plotë. Në një farë mënyrë kjo ka frenuar sepse nuk janë planifikuar lejet. Kjo është një tregues që ne na ka krijuar një rënie që ne e llogaritim edhe në flukset e charterave, por edhe në rrugë tokësore 15-20% në rënie.”

As tërheqja me anë të çmimeve përgjithësisht më të lira këtë verë për paketat turistike për jashtë vendi, ndikuar nga kriza ekonomike, nuk ka nxitur shqiptarët të rezervojnë për pushime.

Megjithatë, operatorët turistikë thonë se pushuesit shqiptarë zakonisht e vendosin në çastet e fundit, çka të lë të mendosh për një shtim të fluksit gjatë muajit gusht. /tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro