Reflektimi i krizës ekonomike në sektorin e turizmit ka detyruar Malin e Zi, të tregohet aktiv në thithjen e pushuesve shqiptare. Vetë ministri malazez i Turizmit, Predrag Nenezic, ka ardhur posaçërisht në Tiranë, duke ju bërë thirrje shqiptarëve që të vizitojnë atraksionet turistike të këtij vendi. Për kreun malazez të Turizmit jo vetëm afërsia mes të dy vendeve por edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe ecuria e kënaqshme ekonomike janë faktorë që rrisin peshën e turistëve “Made in Albania”
Predrag Nenezic: “Ftojmë turistët shqiptarë të vizitojnë Malin e Zi. Për shkak të krizës ekonomike sivjet duhet të jemi më atraktiv në sektorin e turizmit. 330 hotele në Malin e Zi janë certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare.”
Shifrat zyrtare të fqinjit tonë verior tregojnë se numri i turistëve shqiptarë që pushuan vitin e kaluar në Malin e Zi i kalon të 31 mijë personat, me mesatarisht 5 netë qëndrimi për çdonjërin prej tyre. Ndërkaq gjatë 2008 Shqipërinë e vizituan rreth 120 mijë malazezë. Agjencitë turistike shqiptare e konsiderojnë Malin e Zi si një vend të rëndësishëm edhe për thithjen e mijëra vizitorëve nga Europa Lindore.
Sadik Malaj: “Nga problemet e krizës aktuale botërore ata parashikojnë rreth 30% ulje të tregut të tyre këtë vit. Kështu që janë më agresiv në tregun rajonal për të thithur turistë në tregun e tyre. Në bazë të kontratave që kemi pasur me operator malazezë kemi thithur rreth 50 mijë turistë rusë, ukrainas, bjellorus të cilët bëjnë pushimet në Malin e Zi për ture 1 ditore, për vizita një ditore në Shqipëri.”
Mali i Zi numëroi vitin e kaluar rreth 1,2 milionë turistë, apo gati 2 herë më pak sesa turistët që vizituan vendin tonë, me një rritje vjetore prej më pak se 5%./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro