Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Për të parë ecurinë e procesit të regjistrimit të shtetasve shqiptarë, ministri i Pushtetit Vendor Ben Blushi, ka qenë në njësinë bashkiake nr.2 në Tiranë, së bashku me deputetin e zonës Anastas Angjeli. Blushi i kërkoi kryetarit të kësaj minibashkie Përparim Bodinaku, që të përfundoj ky proces brenda datës 28 Shkurt, pasi ai është tepër i rëndësishëm për hartimin e listave të reja të zgjedhjeve parlamentar të vitit 2005.
Ben Blushi: “Kjo është një punë e mundshme për t’u arritur, sigurisht nëse ka një koordinim midis nesh dhe qeverisjes lokale, në rast se ka një angazhim, padyshim mes, siç është rasti tipik rasti juaj, mes dy minibashkive fqinj.
Kryetari Bodinaku deklaroi se afati kohor që u është lënë në dispozicion është tepër i shkurtër, duke pasur parasysh punën e madhe në njësinë që ai drejton, ku një numër tepër i madh familjesh janë në njësinë numër 2, megjithëse banojnë në territore që i përkasin njësisë bashkiake nr.1.
Përparim Bodinaku: “Habitem që për herë të parë neve na vlerësojnë njëlloj si bashkitë, si komunat, kur jemi njësi administrative pa pasur fuqi të tillë. Kjo nuk do të thotë aspak që ne s’do punojmë, por në fund të fundit, nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi ligjore pas kësaj pune që do të bëjë.”
Deputeti Angjeli theksoi edhe njëherë rëndësinë e këtij procesi për të pasur listë zgjedhore të pakontestueshme.
Anasatas Angjeli: “Kjo reformë është një reformë, e zbatueshme dhe që padyshim, do ta mbyllim procesin zgjedhor, atë që tashmë kërkohet nga të gjithë me sukses.”
Në bazë të ligjit të miratuar nga parlamenti, për regjistrimin e shtetasve, bashkitë dhe komunat duhet të ngrenë grupe punë të cilat duhet të shkojnë në çdo familje për të identifikuar, verifikuar dhe më pas regjistruar çdo anëtarë të tyre që janë në moshën mbi 18 vjeç./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka