Menada Zaimi: A duhet Rama në 22 Gusht nëse ka kongres të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste të rikandidojë në të njëjtin pozicion?

Ben Blushi: “Zoti Rama për shkak të statutit jo për shkak të vullnetit të tij, jo për shkak të vullnetit të asamblesë apo të atyre që mund t’i kenë kërkuar dorëheqjen gjithë këto ditë, i është ndërprerë mandati, di që u pranua sot në asamble. Kjo është një nga arsyet për të cilën është thirrur kongresi i jashtëzakonshëm që mesa duket do jetë një kongres zgjedhor. Në frymën e statutit të PS-së siç e lexoj unë, mund të ketë edhe lexime të tjera, po, po flas për leximin tim rikandidimi nuk sugjerohet, sepse, pse duhet të japësh dorëheqjen në qoftë se duhet të rikandidosh. PS ka ndërprerë mandatin, pra ka ndërprerë një projekt i cili nuk ka pasur sukses dhe arsye për të rikandiduar kanë rënë, kjo është fryma e moralit, e kodit dhe e statutit të PS-së. Megjithatë zoti Rama duhet ta shpjegoj vetë nëse do rikandidojë apo jo”.

Arben Malaj: “Mandati në dosje u ndërpre automatike për shkak të filozofisë që ne aplikuam në statutin tonë për të reduktuar që PS të përfshihej nga grindje të brendshme, pasi grindje të përsëritura sjellin humbje elektorale të përsëritura. Kështu që thirrja e kongresit të jashtëzakonshëm dhe hapja e procesit zgjedhor me vendimin e sotëm, lë të kuptosh që proceset do të fillojnë në mënyrë të plotë statutore dhe të shpresojmë që do bëjmë procese konkurruese. I takon vetë Ramës, pas një analize të plotë dhe përfundimtare të procesit zgjedhor, të rezultatit zgjedhor, të faktorëve që edhe vetë brenda PS-së mund të bëheshin mirë të mbajë një qëndrim publik”.

Ben Blushi: “Duhet të fillojmë të mendojmë për opozitën dhe kjo ishte pika e 3 e rezolutës sonë. Pra për të parë, për të filluar për të parë nga vetja, për të mos e çuar më PS-n nga një eksperiment në tjetrin. Njëherë majtas, pastaj djathtas. Njëherë përtej të majtës, njëherë përtej të djathtës. Një PS e cila kthehet majtas siç Shqipëria ka nevojë për një të majtë dhe nuk ka të majtë tjetër parlamentare përveç PS. Një PS e cila i kthehet rregullave të veta për të ruajtur kohezionin e përmes statutit dhe e një fryme më të gjerë koligjaliteti dhe konsensusi, që i ka munguar në vitet e fundit. Prandaj kërkuam që të futet partia në një cikël të natyrshëm reflektimi për ta filluar sesionin parlamentar të shtatorit si një opozitë e fortë e cila nuk shef dhe nuk ka frikë nga vetja e vet, por hyn në parlament për t’u ballafaquar politikisht me shumicën”.

Arben Malaj: “PS do të bashkëpunojë me qeverinë, jo thjeshtë për një parim demokratik, por në momentet kritike ku kontributi i saj patjetër që sjell një të mirë për Shqipërinë. Ne nuk mund të jemi fasadë e bashkëpunimit qeveritar thjeshtë të dukej modern në vetvete. Po nuk do të hezitojmë të bashkëpunojmë për sfidat e mëdha kombëtare të vendit siç bëmë për anëtarësimin në NATO, për reformën zgjedhore, kur menduam se ky pozicion bashkëpunues duhet t’i sillte përfitime Shqipërisë”./tvklan.al