Ben Blushi, një ndër eksponentët më me peshe në Partine Socialiste, njëkohësisht anëtar i kryesisë së saj dhe ish-kryetar i grupit parlamentar,  ka pranuar publikisht humbjen e formacionit më të madh opozitar në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit.

I ftuar përballë një paneli analistësh në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, zoti Blushi tha qëndrimi i tij mbi rezultatin e zgjedhjeve bazohej vetëm tek e vërteta. 

Ai sqaroi se socialisteve nuk u është vjedhur asnjë fitore dhe se fitorja e pritshme nuk erdhi, jo si pasojë e procesit të administrimit të votës, por për shkak të kauzës së gabuar që mbrojtën socialistët.

Me këto argumente, Blushi kundërshton hapur idenë e kryetarit Rama për të mos i njohur këto zgjedhje dhe për të bojkotuar parlamentin.

Ben Blushi: “Unë nuk mendoj siç mund të mendojnë shumë shumë, për shkak alibirash se zgjedhjet i kemi humbur për shkak të KQZ-së. Nuk mendoj se zgjedhjet i kemi humbur për shkak të komisionarëve tanë dhe këtë e kam thënë aty. Zgjedhjet janë humbur për shkak ë mungesës së kauzës tonë. Unë kam kritikat zotëri që ka regjistruar Partia Socialiste, për Fierin, për Beratin dhe disa animimeve të tjera që janë në proces. Por pavarësisht nga këto nuk mund të fshihem pas gishtit dhe të them që megjithëse ka pasur çrregullime ne për shkak të çrregullimeve jemi fitues. Fitorja nuk na është vjedhur dhe nuk mund të dal unë në publik dhe të them që ne fituam po na e vodhi Sali Berisha se nuk e kam këtë evidencë. Nuk e provoj dot edhe sikur të më pëlqente ta provoj, nuk e provoj dot që diferenca 70 me 66 që kemi sot, se kjo është diferenca që kemi sot, ne na janë vjedhur të paktën 4 mandate. Pavarësisht nga administrimi i votës vendimi politik se kush qeveris Shqipërinë është marrë. Se çfarë do ndodhi në shtator dhe kush qeveris këtë shqiptarët e dinë, e kundërshtoj dhe e kam kundërshtar në kryesi mundësinë për të mos njohur zgjedhjet, mundësinë për të mos hyrë në parlament.”

Blushi sqaroi më tej se mbrojtja e idesë se Partia Socialiste nuk i ka humbur këto zgjedhje, siç po veprojnë disa figura te tjera të saj, i shërben vetëm alibisë së ndokujt tjetër në parti, por jo vetë selisë rozë, e cila, sipas Blushit, ka nevojë të kuptojë se çfarë po ndodh në brendi të saj.

Ben Blushi: “Askush prej nesh nuk mund të ngrejë alibira për humbjen apo të pretendojmë se ne kemi fituar një mandat popullor i cili na është vjedhur. Nuk mund të dal dhe të them në publik që ne kemi fituar, kë duhet të gënjej unë. Isha në Korçë takova një mikun tim. Më tha të nesërmen e zgjedhjeve, më kanë hequr gruan nga puna, unë tha isha komisionar. Po mirë tha ne kemi fituar do ma rregullosh gruan në punë në shtator? Mund ta vazhdoj unë këtë farsë.”

Duke u ndalur me tej në një analizë të detajuar rreth shkaqeve që e çuan Partinë Socialiste edhe katër vjet të tjera në opozitë, anëtari i kryesisë së selisë rozë rendit disa prej tyre.

 Ben Blushi: “Përtej së majtës, përtej së djathtës nuk ka funksionuar. Partia Socialiste duhet të kthehet majtas, duhet të kishim adresuar në mënyrë shumë më direkte do të thosha unë zgjidhje për një numër të madh votuesish me shtresa të cilët kishin parë te programi jonë një formulë apo një zgjidhje për problemet që ata kanë, Që nga varfëria e deri nga pamundësia për të marrë një shërbim shtetëror apo publik siç i takon. Kjo për fat të keq nuk ndodhi nuk ja dhamë këtë mundësi. Një nga arsyet që ndoshta ne nuk morëm diferencën që na duhej për të pasur fitore në këto zgjedhje ishte dhe mënyra se si zoti Rama zgjodhi të performonte në këtë fushatë të paktën 6 muajt e fundit. Do ishte një rezultat tjetër në qoftë se ai do të kishte bërë betejë direkte me Sali Berishën. Zoti Rama kishte detyrimin besoj dhe duhet ta kishte bërë, ta ftonte zotin Berisha në debat dhe ta mundte në debat. Nuk patëm dot një koalicion të shtrirë, i cili të mund të merrte më shumë vota se koalicioni i djathtë. Konfliktualiteti ka qenë i dyanshëm. Nuk arritëm dot në një moment të caktuar të kishim një raport besimi dhe sidomos për shkak të një raporti të  vështirë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.”…/tvklan.al