Një jave përpara kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste ku do të diskutohet qëndrimi i kësaj partie për zgjedhjet e 28 Qershorit si dhe kandidimi ose jo i ish kryetarit Edi Rama, Ben Blushi njeri prej figurave më të rëndësishme të PS-së në një intervistë të dhënë për revistën Mapo deklaron se largimi i Ramës nga drejtimi i selisë rozë është vetëm çështje kohe.
Në intervistën e pasqyruar gjerësisht në të gjitha të përditshmet e së dielës në Tiranë, Blushi thotë se Rama i përket të shkuarës.
Sipas tij, e majta është e nesërmja dhe ajo do të vijë pavarësisht se sa e gjatë është nata. I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i tij për një kandidim të mundshëm të Edi Ramës sërish si kryetar në këtë kongres, Blushi deklaron se këtë gjë do ta thotë vetëm në kongres.
Anëtari i kryesisë së PS-së, që ka shpallur ambiciet e tij për kreun e kësaj partie, por që nuk e ka deklaruar akoma këtë aksion politik, thotë se si shkak kryesor të humbjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit është Edi Rama, pa mohuar edhe përgjegjësinë kolektive.
Sipas tij Rama drejton PS-n për interesa të tija dhe të një grup personash brenda selisë roze. Për Blushin përpara zgjedhjeve të 28 Qershorit Edi Rama shihej si një mundësi, ndërsa pas këtyre zgjedhjeve ai është kthyer në një problem për PS-n pasi refuzon të pranoj humbjen, duke bërë që një pjesë e partisë të mbështesin një humbës.
Sipas Blushit ndër shkaqet e humbjes së PS-së në zgjedhje ishte mungesa e një programi te sakte dhe mos arritja e ndërtimit të një koalicioni fitues i cili duhej të ndërtohej mbi programe dhe jo mbi poste qeveritare.
Blushi thotë se strategjia e Ramës do të jetë ankimi për vjedhjen e votës në zgjedhjet e 28 Qershorit në kongres. Megjithatë ai thekson se nëse Rama do të rikonfirmohet përsëri si kryetar ai do të respektojë vendimin e anëtarësisë pasi është një detyrim që nuk mund t’i shmanget.
Sipas Blushit paketa e tij e cila do të paraqitet në kongres synon një parti më të hapur, më funksionale dhe më demokratike. Për Blushin qëndrimi i Ramës në krye të PS-së është një pengesë për ardhjen e të majtës në pushtet./tvklan.al
Gazetari: Eno Luarasi