Parlamenti Evropian po ndjek me seriozitet ngërçin politik të krijuar në Shqipëri nga bojkoti i PS pas zgjedhjeve të përgjithshme të Qershorit 2009.
Në një deklaratë për shtyp të bërë publike në faqen zyrtare të PE-së, zyrtar të lartë të këtij institucioni i bëjnë thirrje Partisë Socialiste të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ti kthehet punës në interes të qytetarëve shqiptar.
Deklarata vjen nga Josef Dol kryetar i grupit parlamentar të partive popullore në PE. Sipas Dol Partia Socialiste shqiptare duhet të respektoj vendimin e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor që hodhën poshtë kërkesën e saj për rinumërim të votave në disa zona zgjedhore.
Opozita shqiptare shprehet kryetari i PPE duhet të punojë së bashku me qeverinë për të përmbushur reformat ekonomike dhe ato sociale që do të bëjnë të mundur që Shqipëria të përmbush kriteret për tu bërë anëtare e BE.
Ndërkohë Elmar Brok, koordinator i punëve të jashtme i grupit parlamentar të partive popullore evropiane shprehet se gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri vëzhguesit e huaj nga organizata të ndryshme ndërkombëtare që monitoruan procesin e votimit dhe numërimit nuk raportuan për parregullsi apo manipulim të rezultatit të zgjedhjeve.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të PE citohet dhe një pjesë e rezolutës së miratuar nga PE nëntorin e kaluar për Shqipërinë ku i bëhet apel opozitës shqiptare të ndalojë bojkotin dhe përmbushë detyrimin kushtetues për të përfaqësonin votuesit e saj në parlament./tvklan.al