Këshilli i Evropës i bën sërish thirrje opozitës që t’i japë fund se më parë bojkotit parlamentar.
Deklarata është e reporterit për Shqipërinë në Strasburg, Jaakso Laakso, i cili në një intervistë për BBC, thotë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i parlamentit të përfundojë.
Ashtu siç u lajmërua edhe në punimet e asamblesë parlamentare në Strasburg pak ditë më parë, një delegacion i Këshillit të Evropës do të mbërrijë në Tiranë me 22 Shkurt, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik të krijuar nga refuzimi disa mujor i PS për të zënë vendet e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
“Këshilli i Evropës ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në të ardhmen. Ky rol pranohet nga të gjitha palët. Ne mendojmë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i parlamentit të përfundojë në mënyrë që parlamenti të funksionojë normalisht. Por çështja shtrohet se si mund të arrijmë deri këtu. Ky është problemi kryesor që do të kemi gjatë kësaj vizite”,- deklaroi zoti Lakso për BBC në shqip.
Delegacioni i KE do të ketë takime në Tiranë me përfaqësuesit e partive politike si dhe presidentin e vendit.
“Ne mendojmë se do të jetë e nevojshme që të takohemi me përfaqësuesit e partive politike, jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike”, vijon me tej deklarata e reporterit të KE për Shqipërinë.
Ardhja e misionit të delegacionit të Këshillit të Evropës në Tiranë, vjen pas rezolutës për Shqipërinë të miratuar në Strasburg pak ditë më parë, ku i kërkohet mazhorancës të ngrejë një komision hetimor për zgjedhje, ndërsa opozitës të ndërpresë bojkotin./tvklan.al