Ramadani ndal hovin e Romës, Sassuolo e Bajramit e Kumbullës rrezikon rënien
Bolonja konfirmohet kockë e fortë e këtij sezoni në Itali. E udhëhequr nga Orsolini, që po tregon gjithnjë e më shumë garanci tek kjo skuadër, ekipi nga Emilia-Romanja arriti të thyej 3-0 Salernitanën. Sulmuesi italian ishte sërish vendimtar, pasi u ngjit në kuotën e 10 golave këtë kampionat, diçka që e bën për herë të dytë radhazi.
Një fitore komode e Bolonjës, që në 10 takimet e fundit ka pësuar vetëm një humbje, atë ndaj kryesuesve të Interit dhe një barazim. Ecuria e mirë e ndihmon për të konsoliduar vendin e katërt në renditje, çka do të përkthehej në kualifikim në Champions League në fund të sezonit.
Pas tyre gjendet Roma. Kryeqytetasit dështuan për të marrë pikë të plota në transfertën e Lecce, teksa barazuan 0-0 dhe shikojnë në minus 5 pikë vendin që i jep biletën e kualifikimit në Champions.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani dhuroi një performancë të mirë në 90 minutat e tij në fushë, duke ndihmuar ekipin e Lecce për të marrë një pikë me tepër vlera në luftën për qëndrimin në elitë. Tashmë distanca me Frosinone e pozicionit që të zbret një kategori më poshtë është 4 pikë.
Barazim ndoshta i pavlerë për llogaritë në fund të sezonit regjistroi Sassuolo. Zi-jeshilët shpërdoruan avantazhin e arritur ndaj Udinese për tu ndalur në barazim 1-1. Minuta për Nedim Bajramin, i hedhur në fushë në minutën e 79-të, ndërsa Kumbulla qëndroi në stol gjatë gjithë sfidës. Sassuolo momentalisht qëndron e parafundit, duke rrezikuar jo pak rënien kur deri në fund kanë mbetur edhe 8 javë për tu luajtur.
Klan News