Rritet fusha e veprimit për bonot e privatizimit. Ministria e Financave ka hapur tenderin për privatizimin e ish-objekteve shtetërore, duke favorizuar kështu ish-pronarët që të përdorin letrat me vlerë në ankandet që ajo ka hapur.
Drejtori i privatizimit … sqaron për TV Klan, mënyrën se si do të procedohet dhe mundësitë që do të përfitojnë ish-pronarët nga pagesa me letrat me vlerë.
Igli Stambolla: “Ministria e Ekonomisë është në një moment që po pret listat nga të gjithë ministritë e tjera të cilat do të sjellin asetet që nuk do t’i përdorin më për nevoja publike dhe gjatë kësaj kohe ministria e Ekonomisë ka nxjerrë në privatizim të gjithë objektet e ndërmarrjeve në varësi të saj. Janë rreth 300 komisione të cilat janë në punë e sipër për asete të ndërmarrjeve shtetërore në varësi të ministrisë së Ekonomisë. Gjithashtu po punohet dhe me privatizimet e vogla, siç quhen, të cilat vijnë nga kërkesat e ish pronarëve. Të gjithë objektet shtetërore që mund të jenë reparte ushtarake, mund të jenë godina të rrënuara, të mbetura, ish institucione, asete ndërmarrjesh. Privatizimi kryhet me 80% me letra me vlerë dhe 20% me kesh, në rastet kur nuk ka pronar atëherë është 100% me para kesh.”
Bonot e privatizimit, përveç kësaj fushate, po përdoren edhe për legalizimin e banesave, duke favorizuar qytetarët që një pjesë të pagesave ndaj Aluzinit, Agjencisë së Legalizimit, ta shlyejnë me letrat me vlerë.
Sipas ligjit, 70% e vlerës së legalizimit do të paguhet me letra me vlerë, një proces që për ata persona që kanë kryer legalizimin me para në dorë, ky afat shtrihet në 3 muaj kohë.
Ndërsa për personat që janë në proces legalizimi, ata duhet të paraqiten në sportelet e Aluzinit dhe të plotësojnë formularin për pagesën me letra me vlerë deri në 70%.
Përdorimi i bonove në privatizime, si dhe në legalizimin e ndërtimeve pa leje, pritet të shtojë ndjeshëm vlerën e tyre në treg./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro