Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

I pari që ka shkelur tokën në Timorin Lindor ka qenë major gjenerali Peter Kuzgrov i cili është komandant i forcës paqeruajtëse të OKB-së në ish koloninë portugeze. Ai ka deklaruar se ka marrë mbështetjen e milicisë indoneziane për garantimin dhe sigurinë e kaskave blu në Timor. Nesër do të mbërrijnë në ish-koloninë portugeze trupat e OKB-se. Kontigjenti do ketë në përbërje ushtarë australianë e britanikë. Lideri i pavarësisë Gusmao ka deklaruar se akoma nuk është i sigurt për t’u kthyer në Timor. Ai kërkoi strehim politik në ambasadën britanike.

Mbi 20 të vdekur dhe qindra të plagosur është bilanci i shpërthimit të një fabrike në një qytet Tajlandez. Shtëpi të shkatërruara dhe të rrënuara. Punëtorët e fabrikës ku ndodhi aksidenti kanë kohë që protestojnë për kushte jo të mira të punës.

Rusia po grumbullon në kufirin me Çeçeninë arsenalin më të madh ushtarak të vendosur ndonjeherë. Pas pesë shpërthimeve në rusi ku kanë vdekur mbi 300 persona kremlini ka vendosur dorën e hekurt mbi kufirin mes dy republikave. Gjatë natës së mbrëmshme forcat ushtarake ruse kanë goditur bazat e rebeleve islamikë. Nga bombardimet e ushtarëve rusë kanë gjetur vdekjen deri tani 200 civile./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori