Vllaznia do ta mbyllë vitin 2024 me një ndeshje mjaft të fortë kundër Partizanit në transfertë në “Arenën e Demave”. Trajneri Tomas Brdariç e konsideron si përballjen më të madhe të kuqebluve deri më tani.

Ekipi shkodran ka probleme me mungesat, por 49-vjeçari e bën të qartë se objektivi është fitorja në Tiranë.

“Kjo është sfida më e madhe deri më tani! Çdokush e di se ne kemi pasur probleme, të cilat jemi munduar që t’i zgjidhim. Por nuk dua të ankohem. Do të jemi sa më konkurues me lojtarët që kemi të gatshëm, jam i lumtur me ata që kam! Do të jemi 100% të përqëndruar dhe do të kërkojmë të fitojmë, edhe pse me një numër të madh futbollistësh që mungojnë! Por është momenti për lojtarët e stolit që të tregojnë veten e tyre! Ne duam që të rritemi vazhdimisht dhe të gjithë lojtarët duhet që të japin gjithçka edhe gjatë seancave stërvitore, e të shfrytëzojnë momentin kur aktivizohen!”

Vllaznia ka 31 pikë pas 18 javësh dhe gjendet në vend të dytë, po aq sa edhe kryesuesit e Dinamos. Por të kuqtë ndjekin me 1 pikë më pak. Kuqeblutë vijnë në këtë përballje, pas dy fitoreve radhazi në kampionat.

Për Partizanin, situata nuk është shumë e mirë, ndërsa skuadra nuk e ka gjetur fitoren në 4 sfidat e fundit, ku ka tri barazime e 1 humbje.

Klan News