Edhe pse vera nuk ka ardhur ende, nuk janë të paktë ata që kanë veshur rrobat e banjës dhe kanë filluar të marrin rrezet e para të diellit. Bregdeti i Durrësit një prej plazheve më të frekuentuara në vend, është gati për të pritur pushuesit e shumtë. Ata që kanë trokitur të parët janë turistët nga Kosova, për të cilët Shqipëria vazhdon të mbetet destinacioni i preferuar.
“Unë jam Visari, vij nga Prishtina. Vij me familje dhe me shoqëri është hera e 2 që jemi në këtë hotel. Ndryshimet janë të vazhdueshme bile jo çdo vit, po brenda muajve shohim ndryshime.”
“Tani për tani për një kohë të shkurtër për sa është zhvilluar turizmi në Shqipëri është mjaftueshëm.”
Përveç kushteve të përmirësuara dhe çmimeve konkurruese operatorët turistikë shprehen se pastërtia e plazhit dhe infrastruktura janë dy nga problemet që nuk kanë patur vëmendjen e duhur nga pushteti lokal.
Majlinda Kulja: “Nga viti në vit përmirësohen kushtet, përmirësohet shërbimi.”
Artur Tereziu: “Kemi pasur shuam turistë nga Maqedonia, Kosova. Edhe këtë sezon duan ta kalojnë në Shqipëri sepse panë një përmirësim shumë të mirë të ambienteve që kemi krijuar. Do desha më shumë impenjim nga ana e komunës që të na pastrojë bregdetin, të na rregullojë rrugët.”
Ada Stafa: “Me çmimet unë mendoj se jemi konkurrues në raport me atë ç’ka ne ofrojmë.”
Përfundimi në Qershor i rrugës Durrës-Kukës si dhe i akseve të tjera nacionale përgjatë bregdetit pritet të shtojë në masë numrin e vizitorëve, jo vetëm nga hapësirat shqiptare por edhe vende të tjera si, Italia, Gjermania e Anglia./tvklan.al