Durrësi tashme mund të konsiderohet jo vetëm qytet i diellit dhe rërës por edhe i kulturës. Për të dytin vit radhazi, qyteti bregdetar pret Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit.
Gjatë këtij edicioni, i cili do të zgjasë plot 8 net, në konkurrim për çmimin “Gladiator i artë” do të jenë 18 filma, mes të cilëve tri premiera botërore.
Moikom Zeqo: “Në qoftë se ecet me ngulmimin më të madh se qyteti i Durrësit të bëhet dhe një kryeqytet kulturorë, jo thjeshtë në rrafshin kombëtar, por dhe në rrafsh rajonal edhe evropian. Mua më duket që jemi në një rrugë shumë të drejtë dhe në një stimulim shumë të madh të turizmit”.
Kryebashkiaku i Durrësit, i cili e ka mbështetur për të dytin vit radhazi festivalin e filmit, pohoj se ky është një event i rëndësishëm, i cili nxit ardhjen e mjaft turisteve si dhe rrit jetën kulturore të qytetit bregdetar.
Vangjush Dako: “Kemi mbështetur artin, kemi mbështetur kinemanë, i kthejmë qytetarëve interesin për kinemanë, i mbushim jetën e tyre me një aktivitet më të larmishëm dhe njëkohësisht gjithë vizitorëve që vijnë në Durrës i japim mundësinë që të plotësojnë ditët e pasdites sa me një jetë sa më të larmishme dhe kulturore”.
E reja e këtij edicioni është se do të shfaqen tri premiera ndërkombëtare dhe 11 premiera rajonale, ndërsa ndryshe nga një vit më parë do të ketë dy struktura jurie./tvklan.al
Gazetare: Enkelejda Arapi