Gazetarja: “Bregdeti i Malit të Zi është konkurrenti më i afërt i turizmit shqiptar. Për turistët çmimet dhe shërbimet bëjnë dallimin.”
Industria e turzimit të Malit të Zi ka humbur shkëlqimin e viteve ‘80 kur priste afro 10 milionë turistë. Turistët e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore që popullonin plazhet e Malit të zi tashmë janë zëvendësuar me turistë që vijnë kryesisht nga rajoni.
“ Këtu është prezent Kosova, Maqedonia, Presheva e Bujanovci. Këtu janë prezent shqiptarët nga shteti amë që vijnë nga Shkodra, nga Durrësi, nga Tirana. Sivjet kemi dhe një fluks të madh edhe nga Perëndimi.”
Industria e turizmit malazez gjatë viteve ‘90 humbi më shumë se gjysmën e numrit të turistëve dhe të ardhurave, për pasojë u përshtat me nivelin më të ulët të çmimeve dhe shërbimeve.
“Sot në Ulqin shkon nga 3 deri në 8 euro për shtrat.”
“Nëpër kapacitete hotelerike ku përfshihet edhe mëngjesi edhe dreka çmimet variojnë nga 17 deri në 30 euro, varet nga hoteli. Kompania hotelerike më e madhe në qytet “Riviera e Ulqinit” vitin e kaluar, edhe pse kemi pasur një numër të madh turistësh, kanë arritur të kenë një humbje prej 2 milionë dollarësh.”
Përballë kësaj industrie në krizë, por me tradita nga ana tjetër e kufirit qëndron turizmi shqiptar, një konkurrent potencial. Turistët do të zgjidhnin Malin e Zi për çmimet më të ulëta të akomodimit, por do të zgjidhnin Shqipërinë për gastronominë apo për plazhet më të panjohura për t’u eksploruar.
Ulqini dhe bregdeti shqiptar prej disa vitesh po ndajnë mes tyre tursitët kosovarë. Ulqinakët nuk ngurrojnë të thonë se janë konkurruar dukshëm vitet e fundit. Po pas 5 vjetësh, ku do të shkojnë turistët ballkanas në Shqipëri apo në Mal të Zi? Për këtë do të vendosin investimet, strategjitë shtetërore apo strategjië dhe mendësitë e sipërmarrësve të turizmit.
Të investojnë për fitime të menjëhershme apo për fitime afatgjata? Të rrisnin cilësinë e shërbimeve apo të mendojnë për fitime marramendëse? Tregu dhe turistët janë çelësi që do të zgjidhin konkurrencën për bregdete të ngjashme të afërta, por të ndryshme. /tvklan.al