Deputetja Majlinda Bregu ka dalë kundër bojkotit të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit nga Partia Demokratike. Përmes një statusi në rrjetet sociale ish –Ministria e Integrimit  i kujton Lulzim Bashës  se si pasojë e vendimmarrjeve të tilla Partia Demokratike po përjeton një situatë të rrezikshme për të ardhmen e saj, që nuk e ka njohur as në  zgjedhjet e vitit 1997. Kryetarin e partisë e fton të reflektojë teksa i sjell për analogji sjelljen sipas saj anti-europiane e antikombëtare të kryeministrit Rama dje në opozitë.

Majlinda Bregu – Deputete e PD-së: “Orët e mundësisë për të ndaluar futjen në një rrugë që kurrë s’ka qenë rruga e partisë sonë, po mbarojnë!  Vendimi për të mos u futur në zgjedhje u mor pa lejuar asnjë debat real. Partia Demokratike ka lindur si Parti me vokacion perëndimor. Nuk iu largua zgjedhjeve as në 1997, pasi u largua e dhunuar nga pushteti i bandave të armatosura madje mori pjesë në zgjedhje edhe në zonat ku kandidatët e saj nuk futeshin dot fizikisht!”

Vetëvrasja politike e Partisë Demokratike duket se nuk  është i vetmi shqetësim për ish Ministren e Integrimit. Bregu thotë se Partia Demokratike po humbet shansin sa i përket mbështetjes së ndërkombëtarëve.

Majlinda Bregu: “Ata duan që PD të hyjë në zgjedhje! Ata duan që ne të jemi në parlament! Ata duan që të kthehemi menjëherë në Kuvend dhe të votojmë të gjitha ato që duhen për zgjedhjet e për reformën në drejtësi! Dhe unë jam e bindur që Shqipëria bëhet më europiane me zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me rrëmujë të cilën s’na e ka borxh asnjë qytetar i këtij vendi!”

Bregu thotë se i ka kërkuar kryetarit Basha disa herë mbledhjen e grupit parlamentar, të cilin e bën përgjegjës për mungesën e demokracisë dhe funksionimit të strukturave  drejtuese në parti.

Tv Klan