Nuk është e nevojshme që domosdoshmërisht të kalosh tek Rruga e Elbasanit për të parë ndërtesën më të lartë në Shqipëri, pamja e saj mahnitëse dhe arkitektura e veçantë të bën që domosdoshmërisht ta dallosh, të qëndrosh dhe të kundrosh përsosmërinë sesi relievi i Shqipërisë është “gdhendur” në fasadën e kësaj ndërtese.

Emisioni “Me Çelësa në Derë” duke hyrë brenda kësaj ndërtese na tregon atë që të gjithë do të donim ta bënim tonën.

“Një godinë e jashtëzakonshme. Një godinë e cila ka tërhequr prej vitesh tashmë çdo kalimtar me formën, lartësinë pa diskutim me shumë kate mbi tokë që ndonjëherë të frikësojnë, por që është mahnitëse si ndërtesë,” tha Orinda Huta.

“Downtown One” është një kullë 140 metra e gjatë, ndërtesa më e lartë në Shqipëri. Elementi më i spikatur i kullës 37 katëshe është relievi i saj i apartamenteve dhe zyrave të cilat formojnë një hartë të Shqipërisë. Ku secila përfaqëson një qytet, apo qytezë duke e kthyer këtë ndërtesë në një ikonë në zemër të Tiranës. Moderatorja e programit, Orinda Huta bashkë me drejtorin e shitjeve Edmondin tregojnë çdo hollësi rreth këtij projekti.  

Orinda Huta: Jemi në katin 31 dhe është nja pamje spektakolare. Absolutisht është një nga ndërtimet më të bukura që na kanë zënë sytë ndonjëherë në Shqipëri dhe duhet të krenoheni padiskutim me këtë ndërtim të bukur. Dhe ashtu sikurse ndjeheni krenar me atë hartën e bukur që është fill pas ndërtesës, pra ajo që e fton çdo njeri. Pra ka një arsye se përse është vënë ajo hartë.

Drejtori i shitjeve, Edmond: Arsyeja e hartës sipas arkitektit që e ka projektuar këtë godinë është që të lidhet i gjithë relievi i Shqipërisë në fasadën e një objekti dhe kjo është për herë të parë në botë dhe kemi fatin që e kemi në Shqipëri./tvklan.al