Rama: Kompensim me banesa të reja kush preket nga plani rindërtimit
Pas Thumanës, Kruja është qyteti i dytë ku do të nisë procesi i shembjeve të ndërtimeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit për t’i hapur rrugën programit të rindërtimit. Ky është masterplani për zonat ku do të ndërtohet në këtë qytet.
Në një takim që kryeministri zhvilloi me krerët e institucioneve që janë pjesë e programit kërkoi ritëm të përshpejtuar dhe për procesin e kompensimit për banesat që preken nga projekti rindërtimit. Rama ju ofron si mundësi kësaj kategorie nënshkrimin e kontratave për t’u kompensuar me banesa në pallatet e reja.
“Ofertën e parë të këtyre që janë me të drejtën e tyre subjekt i marrjes së një pagese për pronën, duhet t’ia bëni për një shkëmbim në natyre. Pra ata që do të humbasin një objekt apo një hapësirë të caktuar qoftë të përdorshme qoftë truall, t’ju propozohen që të marrin një si kompensim nga ndërtimi, një hapësirë shumë më të mirë, shumë më të favorshme, se ajo që kanë sot në ato situata absurde. Propozojani këtë gjë, edhe për të shmangur ato shpenzime të tepërta edhe për ata vetë që të kenë mundësi që të fitojnë një pronë të patundshme realisht dinjitoze, t’ju jepet mundësia për një marrëveshje të tillë, nëse nuk dua le të vazhdojnë me procedurën e zakonshme të shpronësimit|
Ndërkohë në Thumanë ka përfunduar pothuajse i gjithë procesi i shembjes së ndërtesave dhe brenda Majit pritet të nisë procesi i rindërtimit. Të tjera bashki të prekura rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit veç Durrësit dhe Tiranës janë dhe Laçi e Fushë-Kruja.
Tv Klan