Banka e Shqipërisë në raportin analitik më të fundit raporton se edhe në tremujorin e dytë të këtij viti ka pasur një rritje të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve. Banka Qendrore nënvizon se rritja e kërkesës për kredi ishte e pranishme në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në financimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.

Sipas madhësisë së biznesit, standardet u lehtësuan disi për segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, dhe u mbajtën të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh. Por pavarësisht kësaj shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e tretë të 2024. Rritje ka pasur edhe kërkesa për kredi nga individët për blerje banesash apo konsumatore, por raportohet se bankat e nivelit të dytë kanë qenë më të frenuara në dhënien e tyre.

“Si faktor i vetëm që ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për individët u raportua perceptimi i rrezikut mbi aftësinë paguese të kredimarrësit. Standardet e kreditimit për individët priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e katërt të vitit 2024, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe ato për financimin e konsumit, të shprehura si të tilla vetëm nga një bankë e vetme e sistemit.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë ka arritur në mbi 812 miliardë lekë në Gusht të këtij viti, me një rritje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Referuar tablosë ekonomike, sipas ekspertëve ecuria pozitive e turizmit ka nxitur bizneset që operojnë në këtë sektor që të shtojnë investimet, në staf, shërbime dhe infrastrukturën e tyre.

Tv Klan