Bumçi: Rama s’mund të imponohet me kërkesa antiligjore
Aldo Bumçi: “Jam sot përpara jush për të denoncuar leximin kokë poshtë të rezolutës së Këshillit të Evropës nga Edvin Kristaq Rama në një kohë kur qeveria ka pranuar pikë për pikë rezolutën. Ka pranuar dhe është deklaruar e gatshme për të vendosur dialogun dhe zbatimin e saj dhe rikonfirmon gatishmërinë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Me qëndrimet e tij zoti Rama dëshmon se po bën çdo gjë që të djegë mandatet e grupit socialist. Jam sot këtu për t’i deklaruar zotit Rama që vet kërcënon protesta dhe nxjerr lektantët e tij për të kërkuar llokma pushteti se thirrjet për protesta mund të mallëngjejnë Takun dhe Nardin. Mund të mashtrojnë ndonjë gazetar presidiumesh, por nuk mund t’i imponojnë kësaj mazhorance as edhe gjënë më të vogël që bie ndesh me ligjin dhe kushtetutën e vendit.”
Doda: Rama, mbrojtës i bashkëpunëtorëve të komunizmit
Mesila Doda: “Kryetari i opozitës Edi Rama, sot shqiptoi një akuzë të paprecedent në historinë e politikës moderne shqiptare. Ai sot akuzoi gjithë pushtetin gjyqësor shqiptar, gjykatat dhe prokurorinë si të korruptuara dhe nga kjo damkë hoqi veçmas vetëm trupën e gjykatës Kushtetuese. Kështu e rikonfirmoi edhe një herë bashkëpunimin e vjetër të familjes së tij me shumë prej eksponentëve të kësaj gjykate. Dua t’ju rikujtojmë se dënimi me varje i Havzi Nelës bart mbi vete firmën e eksponentëve të kësaj gjykate, por dhe firmën e Kristaq Ramës, babait të kryetarit të opozitës së sotme Edi Ramës. Rikonfirmoj sot para jush gjithë vendosmëri dhe këmbënguljen tonë për të ndarë njëherë e mirë historinë e shkuar nga e sotmja dhe e ardhmja e fëmijëve tanë. Theksoj se referendumi popullor për këtë çështje madhore është hapi i sigurt dhe demokratik që do realizojmë dhe që do ndajë njëherë e përgjithmonë krimin nga gjykimi nga akuza nga politika e sotme.”/tvklan.al