Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e kësaj të premteje në qytetin e Fierit. Një 23-vjeçar mbeti i vrarë me thikë në lagjen “11 Janari”, pas një sherri që dyshohet të ketë në qendër të tij një grua.
Sipas asaj që raporton gazetarja Anila Sefa, autor i dyshuar i vrasjes është Xhuliano Miho, 39-vjeç. Ai raportohet të ketë goditur me thikë partnerin e ish-bashkëshortes së tij, 23-vjeçarin Xhimi Bakaj.
I riu mësohet se u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Sipas gazetares Sefa, shkak për vrasjen e të riut është bërë divorci mes autorit dhe bashkeshortes, me të cilën ka dy fëmijë. Kjo e fundit kishte disa muaj që ishte larguar nga banesa dhe bashkejtonte më 23-vjeçarin Bakaj. Autori e ka takuar në rrugë viktimën dhe pas një debati e ka goditur të paktën 3 herë me thikë.
39-vjeçari u arrestua nga policia, ndërsa hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë.
“Rreth orës 21:00, në rrugën “Ramiz Aranitasi”, Xhuliano Miho, 39 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), Xhimi Bakaj, 23 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital. Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici Xhuliano Miho dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale”, tha policia e Fierit në një njoftim për mediat./tvklan.al