“Buxheti i vitit 2019-të do të mbështesë me 5% të prodhimit të brendshëm bruto investimet publike. Dy nga veprat kryesore që do të financohen janë Unaza e Madhe e Tiranës dhe rruga Kardhiq – Delvinë”.
Vitin e ardhshëm buxheti i shtetit do të financojë përfundimin e rrugëve që janë duke u ndërtuar. Përveç Unazës së Tiranës dhe segmenteve të fundit të rrugës Kardhiq – Delvinë, do të vazhdojnë punimet edhe në aksin Fushë-Krujë-Milot –Morinë, Bypass-in e Shkodrës dhe Tepelenës, dhe do të përfundojë rruga Lin-Pogradec dhe Elbasan –Banjë.
Punimet parashikohen të vazhdojnë edhe për rrugën Tiranë – Elbasan, By Pass-in e Fierit dhe Vlorës dhe aksin Qukës – Qafë Plloçë, projekte të cilat janë me financim të huaj.
Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se po ashtu vitin e ardhshëm pritet të nisë puna për disa vepra në infrastrukturën rrugore, pjesë e projekteve me PPP “1 miliard euro”. Aty numërohen rruga Thumanë – Kashar, Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat.
Pjesë e buxhetit të rrugëve, do të jetë edhe studimi për zgjerimin e superstradës Tiranë – Durrës, rehabilitimi i aksit Skrapar-Gramsh, rishikimi i punimeve të mbetura Elbasan-Gjinar dhe ndërtimin e një mbikalimi në afërsi të qendrës tregtare TEG.
Shumica e veprave publike për ndërtimin e rrugëve, pritet të përfundojnë në vitin 2021. Në total buxheti për vepra publike do të kapë shumën e 870 milionë Dollarëve.
Tv Klan