Ndërhyrjet për të përmirësuar kushtet në zonat turistike, furnizimin me ujë të pijshëm në zonat problematike, infrastruktura në zonat rurale, investimet në kullim e vaditje do të jenë në fokus të buxhetit të Bashkisë Lezhë për 3 vitet e ardhshme.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, gjatë konsultimit publik për buxhetin afatmesëm.
SIpas kryebashkiakut, investimet në infrastrukturën e brendshme të qyteteve Shëngjin e Lezhë do të nisin shumë shpejt. Së bashku me investimet e qeverisë për By Passin e Shëngjinit dhe rrugën Milot-Balldren pritet të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
“Në Nëntor do të kemi projektet gati për gjithë rrugët që do shtrohen dhe do përqëndrohet në qytet, në Shëngjin dhe lagjen Nënë Tereza. Do dizejnojmë një qytet ndryshe, do jetë model”, thotë kryetari Pjerin Ndreu.
Në takimin me palët e interesit, Ndreu u ka bërë thirrje bizneseve dhe familjarëve që të tregohen bashkëpunues duke paguar detyrimet fiskale, pasi edhe ndërhyrjet do të orientohen në bazë të nivelit të pagesave të taksave dhe tarifave vendore që do të bëhen në çdo njësi administrative.
Tv Klan