Të gjithë ata udhëtarë të huaj të cilët ende nuk e kanë ndarë mendjen se ku të pushojnë këtë verë ky artikull i revistës franceze “Buzzly” do tu vijë atyre në ndihmë.
Përmes këtij shkrimi kjo media sugjeron të eksplorohen pesë destinacione të reja me histori dhe kulturë të pasur dhe peizazhe që të lënë pa frymë. Këto pika të reja turistike kanë regjistruar një rritje prej 19% e turizmit dhe pjesë e kësaj liste është edhe Shqipëria.
Pavarësisht potencialit të saj të madh turistik, prej disa vitesh Shqipëria ka qenë një nga destinacionet më pak të njohura. E kjo kryesisht lidhet edhe me faktin se vendi ynë prej shumë vitesh ka qenë i izoluar për shkak të regjimit komunist dhe rimëkëmbja në sektorin e turizmit ka qenë e ngadaltë.
Jo vetëm situata politike, por edhe mungesa e promovimit të duhur dhe ndërgjegjësimit për pasurinë kulturore, historike dhe natyrore kanë ndikuar që vendi ynë të mbetej mbrapa krahasuar me vendet fqinje.
Megjithatë, sot e gjitha kjo ka ndryshuar dhe Shqipëria po shfaqet gjithnjë e më shumë si një destinacion trend. Ky destinacion premton të tërheqë vëmendjen e vizitorëve falë veçantisë, autenticitetit dhe evolucionit të tij në infrastrukturën turistike thuhet në artikull.
Revista e njohur franceze përmend disa nga atraksionet kryesore turistike në vendin tonë. Vlerëson Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, një zonë e mbrojtur që ofron pamje mahnitëse të Tiranës.
Vijon me qytetin historik të Gjirokastrës i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ky qytet shpesh është cilësuar edhe si “Qyteti i Gurtë”.
Turistët padyshim nuk duhet të humbasin plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare. Veçon Dhërmiun, i cili ofron plazhe të mrekullueshme dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.
Klan News