Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Me dorëheqjet e tre anëtarëve të KQZ, Nano, Arbi dhe Bistri, mazhoranca i ka krijuar mundësinë PD të përfaqësohet në këtë komision. Krahas dy opozitarëve të mbetur, Koka e Zguri, nënkryetari i parlamentit Namik Dokle, ka ftuar të gjitha grupet parlamentare të paraqesin brenda 30 ditëve kandidaturat për zëvendësimin e komisionerit Shahin Bistri, i zgjedhur nga parlamenti me propozim të mazhorancës, rreth 2 vjet më parë.

Gazetari:- Ju përjashtoni tryeza politike për të pasur një konsensus për KQZ?

Namik Dokle:- “Asgjë nuk përjashtoj unë dhe natyrisht gjithçka mund të bëhet, por gjithçka do të kalojë pastaj nëpërmjet rregullave që përcakton kodi dhe rregullorja e kuvendit. Se çfarë bëjnë partitë politike nuk i intereson kuvendit”.

Përsa i përket ndarjes së zonave elektorale në komisionin e ligjeve janë shqyrtuar vërejtjet e PD. Kryetari i komisionit kombëtar të zonave elektorale Shazi tha, se është e pamundur të ndryshohet plotësisht projekti i paraqitur. Ky projekt do të paraqitet në parlament më datë 5 Shkurt dhe në rast se deputetët vendosin për ta kthyer për rishqyrtim afati përfundimtar i miratimit të tij do të jetë data 28 Shkurt./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame