Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Është pritur me debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës, diskutimi për 100 zonat e reja elektorale. Kryeparlamentari Gjinushi deklaroi se projekti, do të diskutohet tre javë nëpër grupe dhe komisione parlamentare, ndërsa më 26 Shkurt do të votohet në seancë plenare. Menjëherë ka reaguar demokrati Gjana, i cili kërkoi të dinte cili ishte iniciatori ligjvënës. Gjana kundërshtoi projektin për ndarjen e zonave elektorale, i bazuar në listat e votuesve të zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë me propozim të kryetarit të PBDNJ Vasil Melo, u vendos që gjatë kësaj jave, projekti për ndarjen e zonave elektorale të diskutohet nga një grup i përbashkët deputetësh pozitë-opozitë.
Vasil Melo, Kryetar i PBDNJ:- “Unë propozova, që të krijohet një grup parlamentar me përfaqësues të të gjitha forcave politike, i cili pasi të marri në analizë edhe të gjithë ato vërejtje që vijnë nga forcat e ndryshme politike ta analizojë këtë projektligj dhe të kërkojë nga komisioni përkatës ndryshimet që parashtrojnë forcat e ndryshme politike”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame