Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Byroja parlamentare, ka shtyrë sërish shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike, për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama. Mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, nuk është gjetur konsensusi, pasi krerët e grupeve të majta parlamentare kanë kërkuar kohë, për të shqyrtuar ligjshmërinë e kësaj kërkese.
Gramoz Ruçi:- “Vlerësim për 35 firmëtarët, që unë i vlerësojë ata që duhet të kthjellohem, të konsultohem me Kushtetutën me ligjin, me grupin parlamentar, për këtë çështje, që të shpreh mendimin pro ose kundër kësaj kërkese”.
Engjëll Bejtaj:- “Nuk mendoj, se një komision që kërkon të ketë tre muaj kohë për t’u shqyrtuar, duhet të vendoset për 30 minuta”.
Vendimi për shqyrtimin e kërkesës së demokratëve, në mbledhjen e ardhshme të byrosë, u mor pavarësisht këmbënguljes së opozitarëve për ta vendosur që kësaj radhe, ngritjen e komisionit hetimor ndaj Ramës.
Bamir Topi:- “Po krijoni një psikozë frenimi ndaj një iniciative të 36 deputetëve, që është një iniciativë kushtetuese. E kemi bërë publike, që përveç se misionit parlamentar për të hetuar, ky institucion, siç është komisioni i hetimit, nuk zëvendëson në mënyrë absolute, as prokurorinë, as gjykatat, as kontrollin e shtetit”.
Nard Ndoka:- “Nuk besoj që ka afat kohor që të mblidhemi edhe një herë për të njëjtën çështje. Do të ishte mirë që kjo të diskutohej sot”.
Ndërkohë nga Partia Demokratike, kanë ardhur sinjalet, se mospranimi nga socialistët i kërkesës për hetimin e kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama, do të ketë pasoja të rënda, deri dhe braktisjen e parlamentit./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço