Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako merr pjesë në Konferencën e Shoqatës ndërkombëtare të Shefave të Policisë që po zhvillohet në Philadelphia USA.
Çako takon Drejtorin e Operacioneve të Hetimit Ndërkombëtar në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve.
Po gjatë ditëve të konferencës Çako do zhvillojë të tjera takime të rëndësishme në interes të Policisë së Shtetit.
Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë që po zhvillohet në Philadelphia USA, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako zhvilloi një takim me Raymond Villanueva, Drejtor i Operacioneve të Hetimit Ndërkombëtar në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve, Director International Operations Homela d Security Investigations.
Gjatë takimit, Villanueva vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm midis Policisë së Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare te ShBA-ve sidomos në rastet e parandalimit dhe hetimit të krimit kibernetik dhe në veçanti në parandalimin e krimit kibernetik ndaj të miturve.
Çako dhe Villanueva diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të tilla si siguria kibernetike, emigracioni i paligjshëm, hetimi i krimit financiar etj.
Villanueva e ftoi Z.Çako për vizitë në Selinë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Washington si dhe ofroi vizita studimore në Departamentin e Sigurisë Kombëtare në Washington për punonjësit e Policisë së Shtetit që punojnë si ekspertë të hetimit të krimit kibernetik dhe të zbulimit të provave në programet kompjuterike .
Qëllimi i këtyre vizitave do të jetë njohja me metodat dhe teknologjinë më të përparua për hetimin e krimit kibernetik , me qëllim rritjen e sigurisë kibernetike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako falënderoi Z. Villanueva për bashkëpunimin si dhe për ndihmën që ShBA i kanë dhënë në vazhdimësi Policisë së Shtetit.
Konferenca është duke vijuar punimet, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do zhvillojë të tjera takime bilaterale./tvklan.al