Lajme Arkiva 2003
“Nesër më mirë se pasnesër”, një komedi nga autori grek Dhimitri Psatha, ka çelur sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar. Kjo premierë është vënë në skenë nga regjisori Milto Kutali dhe në rolet kryesore interpretojnë aktorë Roland Terbicka, Genci Fuga, Ahmet Pasha, Suela Konjari, etj.
Komedia e cila i përshtatet më së miri realitetit aktual shqiptar rrëfen historinë e një deputeti i cili po ballafaqohet me kërkesat e përditshme të zgjedhësve të tij, të cilët të shtyrë nga premtime pa fund, të dhëna gjatë fushatës elektorale, kërkojnë vetëm ndere nga ky deputet.
Duke mos qenë i aftë të përmbushë kërkesat e tyre, ky deputet vihet në kërkim të një gënjeshtari profesionist i cili do të mund të mbajë njerëzit me premtime deri në zgjedhjet e reja.
Ai arrin të gjejë këtë personazh por dalëngadalë fillon të bjerë vetë pre e gënjeshtrave të zëdhënësit të tij.
Vepra është një ndërthurje e karaktereve komike, me situata vërtetë humoristike që pasojnë njëra tjetrën me një ritëm të këndshëm duke krijuar në këtë mënyrë një zinxhir humori dhe të qeshurash të cilat kanë argëtuar publikun në sallë./tvklan.al