Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim të veçantë kryetarin e Bashkisë së Vienës, Michael Häupl. Gjatë takimit, kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi Häupl për modelin e qeverisjes së pushtetit vendor dhe theksoi se Viena shërben si një pikë reference për mënyrën e menaxhimit të qyteteve. Kryebashkiaku Michael Häupl u nderua nga Veliaj me “Çelësin e Tiranës”.

“Viena është një pikë reference për shumë prej nesh që janë më të rinj në moshë, me më pak eksperiencë dhe që duan të mësojnë nga mjeshtrit e menaxhimit të qyteteve. Kryetari i Bashkisë së Vienës është padyshim një mjeshtër i menaxhimit të qytetit të Vienës për kaq shumë vite me prosperitet dhe me një progres të jashtëzakonshëm”

, tha Veliaj, ndërsa shtoi se do të ketë një intensifikim të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Vienës. 

“Sot kemi dakordësua

r se do të bashkëpunojmë në disa fusha, kryesisht për zhvillimin urban dhe për akomodimin demokrafik të rritjes së popullsisë. Do të kemi një seancë të dytë në nivel ekspertësh gjatë verës ose në fillim të vjeshtës për të diskutuar çështje të urbanistikës dhe për të marrë mbështetje nga Viena për çështje të zhvillimit urban, të arkitekturës, të transportit publik, të vetëmenaxhimit financiar të qytetit”,

deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj tha se Bashkia e Tiranës dhe ajo e Vienës janë në fazën e konceptimit të disa projekteve për të dy qytetet në lidhje me fondet evropiane.

“Tirana ka shumë për të mësuar, se si përtej menaxhimit të mirë që i bën parave vendase, të ketë akses edhe në fondet e bashkimit Europian, ku sot si shtet kandidat me një qytet si Viena që është shumë i zhdërvjellët në fondet evropiane, të kemi edhe përfitime për qytetin e Tiranës”,

u shpreh ai.

Kryetari i Bashkisë së Vienës, Michael Häupl, e cilësoi tepër të prekshëm transformimin që ka pësuar Shqipëria dhe Tirana, ndërsa garantoi për rritje të bashkëpunimit mes dy qyteteve. 

“Mësimet që nxjerr si kryetar i bashkisë nuk kanë fund dhe është e merkullueshme të konstatosh zhvillimin që ka përjetuar Shqipëria dhe qyteti i Tiranës. Për mua është shumë kënaqësi që të flasim për bashkëpunim në të njëjtin nivel sepse bashkëpunimi në frymën, në kuadrin e zhvillimit të qyteteve është shumë i rëndësishëm. Unë zhvillimin e qyteteve dhe rritjen e tyre nuk e shoh si problem, por e shoh si një sfidë, e cila duhet përballuar dhe këtë sfidë do ta përballojmë në harmoni me njëri-tjetrin”,

tha Michael Häupl.

Bashkia e Vienës do t’i dhurojë kryeqytetit disa nga stolat karakteristikë të Vienës të lagjes së saj muzeale të cilat do të vendosen në sheshin “Skënderbej”.

Do të jenë mobiljet e para urbane në sheshin “Skënderbej” edhe si një shenjë e prekshme e kësaj miqësie”, deklaroi Veliaj.

Ndërsa, kryebashkiaku i Vienës u shpreh se stolat simbolizojnë jetën dhe gëzimin.

“Për mua do të ishte shumë kënaqësi nëse me këto stola karakteristikë vienezë do t’u krijonin kënaqësi të rinjve dhe të rejave shqiptare. Ato janë një shenjë e jetës, janë shenjë e gëzimit dhe do më bëhej qejfi nëse do përjetoheshin njësoj edhe këtu”,

tha Häupl.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me “Viena City Marathone” ka nisur përgatitjet për maratonën e Tiranës që do të zhvillohet më 15 tetor.

Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës e shoqëroi kryebashkiakun Michael Häupl në një vizitë në kantierin e punimeve për transformimin e sheshit “Skëndërbej”. Veliaj e njohu homologun e tij me ecurinë e deritanishme të punimeve, si dhe me morinë e aktiviteteve që priten të organizohen në këtë hapësirë të re.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj dhe kryetari i Bashkisë së Vienës, Häupl morën pjesë dhe në emërtimin e një prej rrugëve të kryeqytetit me emrin “Viena”, si një shenjë e miqësisë mes dy vendeve tona./tvklan.al