Çelet në ambientet e Pallatit të Kongreseve panairi ndërkombëtar i teknologjisë dhe i cilësisë 2009.
Industritë më të fuqishme evropiane të energjetikës dhe infrastrukturës janë përfaqësuar nga kompani të mëdha.
Pjesë e këtij panairi kanë qenë kompani kontraktuese në projektet energjetike në Shqipëri, të cilat kalojnë vlerën e 5 miliard euro.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, si dhe ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia.
Genc Ruli: “Është demonstrimi më i prekshëm do të thoja i faktit që sektori energjetik shqiptar nga një sektor që qe bërë si…i krizës i stanjacionit është kthyer ndofta në sektorin më dinamik të investimeve, të novacionit teknologjik të sektorit, ku dhe në këtë kohë të krizës botërore ende vazhdon të investohet dhe investitorët paraqiten me projekte shumë ambicioze dhe me fonde të mëdha. Ky panair i sotëm është demonstrim së pari i asaj çfarë ka arritur të bëjë biznesi shqiptar në këto pak vite, i asaj klime besimi që është krijuar për investitorin në këtë sektor në sektorin energjetik si për investitorin shqiptar dhe për investitorin e huaj. Është gjithashtu një reflektim i prekshëm i vetë reformave të ndërmarra dhe qeveria shqiptare në këto vite, të cilat bëjnë të mundur që neve të kemi mundësi të kemi investime të këtij lloji”.
Panairi ndërkombëtar i teknologjisë dhe cilësisë 2009 do të jetë vazhdimi i jetësimit të nismës së “Albkonfindustrisë” për krijimin e panairit të bizneseve, ku industrialistët nga të gjitha hapësirat shqiptare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi do të kenë një mundësi të shkëlqyer për të përfaqësuar projektet e tyre.
Përvoja e vitit 2008 në të cilën u lidhën me dhjetëra kontrata tregtare tregoi suksesin e plotë të mënyrës bashkëkohore të organizimit të panairit të bizneseve.
Panairi ndërkombëtar i teknologjisë dhe cilësisë 2009 do të jetë vendi ku industrialistët kanë rastin të njihen me prodhimet më të fundit të linjave, makinerive, pajisjeve, projekte të teknologjive dhe standardeve më të larta të sjella nga kompani të njohura ndërkombëtare.
Në ambientet e Pallatit të Kongreseve ky panair do të qëndrojë i hapur deri në datën 2 Maj./tvklan.al