Panairi i 12-të i librit “Tirana 2009”, ka çelur dyert për lexuesin shqiptar në Pallatin e Kongreseve, me mbi 1200 tituj të rinj të autorëve vendas dhe të huaj.

Stendat e panairit të shpërndara në një sipërfaqe rreth 2 mijë metra katrorë ekspozojnë botimet e rreth 100 botuesve shqiptarë, 30 prej të cilëve vijnë nga trevat jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ngjarja më kryesore e librit në hapësirën mbarë shqiptare, kremtohet tashmë prej 12 vitesh si një realitet i rëndësishëm që i mëshon idesë se librit shqip i duhet edhe më shumë mbështetje nga shteti që ai të shkojë tek lexuesi.

Petrit Ymeri: “Ne jemi përpjekur që të gjithë organizatorët e këtij panairi që të bëjmë një festë vërtetë të bukur dhe jo thjesht një librari të madhe  të qytetit të Tiranës, librari e madhe e cila mungon për fat të keq në Tiranë. Po për të bërë një vend ku të takohen të gjithë bashkë, botuesit, autorët, përkthyesit dhe lexuesit

Amik Kasoruho: “ Larmia e këtij panairi unë kujtoj se i bie ndesh, e kundërshton aq thënien e lashtë i druhen njeriut që ka lexuar vetëm një libër. Kjo larmi ndihmon në krijimin e një kulture të vërtetë dhe me spektër të gjerë.”

Ali Aliu: “Më shumë se numri i titujve tirazhi, ka rëndësi numri i lexuesve, efekti i tij kulturor dhe social. Infrastruktura e librit shqip është në nivel të pakënaqshëm. Ndërsa mbështetja e shtetit për librin  si këtu në Shqipëri, në Kosovë e Maqedoni mbetet ende krejt e papërfillshme.”

Gjate katër ditëve të panairit shtëpitë botuese do të promovojnë në stendat e tyre titujt më të përzgjedhur, vepra të shkrimtarëve të njohur, apo pak të njohur, bestseller, studime e fjalor. Në panair janë prezantuar 40 mijë ekzemplarë, nga afro 300 autorë të botuar./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani