Është çelur zyrtarisht me një sërë aktivitetesh kulturore e artistike sezoni turistik në bregdetin e Semanit ne Fier.

I pranishëm në ceremoninë e çeljes së sezonit drejtuesi politik i PS, Qarkut Fier, Taulant Balla ka vlerësuar plazhin e Semanit si një nga plazhet që ofron për pushuesit kushte të favorshme ku ndërthuren jo vetëm deti i pastër, natyra rëra kurative dhe kulinaria, por edhe një paketë e plotë turistike për të vizituar parqet Arkeologjike në Apoloni e Bylis

Taulant Balla: Fieri ka një ofertë të plotë turistike. Fieri ka jo vetëm bregdetin e bukur, por në Fier mund të gërshetosh edhe vizitën në sitet turistike përfshirë këtu në mënyrë të veçantë Apoloninë që e kemi këtu afër, por edhe sitet e tjera turistike.  

Prej më shumë se një muaj nga bashkia Fier është kryer pastrimi i vijës bregdetare dhe rërës për të pasur një bregdet të pastër për pushuesit si dhe janë marrë të gjitha masat për vendosjen e kullave të vrojtimit dhe rojet bregdetare që do të survejojnë gjithë vijën bregdetare.

Zhvillimi i zonave bregdetare do të jetë në funksion të plotë të paketës turistike që ofron Fieri së bashku me turizmin arkeologjik. Plazhet e Semanit dhe Darëzezës preferohen edhe gjatë dimrit nga turistë të huaj ndërkohë që rëra kurative dhe pylli me pisha i bën këto vija bregdetare ndër më të preferuarat.

Klan News