48 mijë shqiptarë nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë. Të dhënat e censit tregojnë se analfabetizmi në Shqipëri është i përhapur në 2.2% të popullsisë, me një rënie të lehtë nga vitit 2011, kohë kur analfabetizmi ishte i përhapur në 2.8% të popullsisë.
Në një periudhë 12-vjeçare ka një rënie me 40% të numrit të analfabetëve.
“Do të thotë që shoqëria ka reaguar pozitivisht ndaj kësaj dukurie. Vetë shoqëria ka filluar të lëvizë, të veprojë”, thotë Shezai Rrokaj, pedagog i Gjuhësisë.
Nga 48 mijë analfabetë, 21 mijë janë persona me aftësi të kufizuara, duke zënë kështu 44% të totalit të analfabetëve në vend.
“Është një problem për shkollën shqiptare. Nuk kemi një shkollë për të përgatitur mësues për të trajtuar këto kategori. Në fakultetin tonë kemi studentë dhe ka vështiresi në aksesin tek njohuritë që ne japim”, vijon Rrokaj.
Analfabetizmi rezulton të jetë më i përhapur tek femrat sesa tek meshkujt. Shumica e qytetarëve që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë shqip janë mbi 35 vjeç, ndërsa 16% i përkasin grupmoshës nga mosha 10-35 vjeç.
Tv Klan